Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Portugalisë miratoi vendimin për të nisur konsultime me Presidentin e Republikës dhe partitë parlamentare mbi njohjen e Shtetit të Palestinës gjatë sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator të këtij viti.
Në deklaratën e publikuar nga Zyra e Kryeministrit, Ekzekutivi i udhëhequr nga Luís Montenegro theksoi se më parë ishin prezantuar parakushtet për nisjen e procesit të njohjes dhe se ato tashmë janë konfirmuar në konferencën e OKB-së.
Për pasojë, Qeveria vendosi të nxisë konsultimet me Presidentin e Republikës dhe partitë politike të përfaqësuara në Parlament, me synim që njohja të realizohet në shtator, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Në një intervistë për SIC Notícias, Ministri i Punëve të Jashtme, Paulo Rangel, deklaroi se ky vendim u mor në Këshillin e Ministrave të enjten dhe se tashmë do të vazhdojnë konsultimet me partitë.
Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, në komentimin e këtij vendimi e përshkroi procesin si “të jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të arsyeshëm”, duke shtuar se vendimi i qeverisë reflekton analizën e ngjarjeve të fundit dhe përkeqësimin e situatës në Palestinë.
Ortekun e njohjeve të Palestinës e nisi Franca, të cilës i janë bashkuar edhe Malta dhe Kanadaja. Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka paralajmëruar se do ta njohë Palestinën nëse Izraeli nuk përmbush kushtet e vendosura.