Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, akuzoi autoritetet në Ukrainë se “e rrahën për vdekje” një shtetas ukraino–hungarez që refuzoi mobilizimin. Ai sqaroi se bëhet fjalë për një burrë që vdiq në spitalin e Ukrainës më herët këtë muaj dhe se ishte “i rrahur për vdekje” nga zyrtarët e rekrutimit. Orban njoftoi se rasti është ende nën hetim. Nga ana tjetër, Ukraina hodhi poshtë këto akuza.
Më parë, Ministria e Jashtme e Hungarisë thirri ambasadorin ukrainas për shpjegime lidhur me këtë rast. Ministria deklaroi se rekrutuesit ukrainas e kishin sulmuar burrin si pjesë e “rekrutimit të detyruar” para se ta çonin në qendrën e rekrutimit.
Autoritetet ukrainase i mohuan këto pretendime. Ato njoftuan se burri ishte shtetas ukrainas që pa autorizim kishte braktisur njësinë e tij ushtarake dhe më pas ishte paraqitur në spital. Mjekët nuk gjetën shenja lëndimesh trupore që të sugjeronin përdorim dhune.
Ukraina theksoi se shkaku i vdekjes ishte embolia pulmonare. “Hodhim poshtë kategorikisht të gjitha akuzat për rekrutim të detyruar, keqtrajtim apo shkelje të të drejtave të njeriut,” u shprehën ata.