Opozita kritikon Qeverinë për menaxhim jo të duhur të buxhetit shtetëror

Opozita kritikon Qeverinë për menaxhim jo të duhur të buxhetit shtetëror

Përfaqësues të opozitës e kanë kritikuar Qeverinë për menaxhim jo të duhur të buxhetit me investime të dobëta kapitale, rritje të inflacionit dhe migrim të qytetarëve drejt vendeve evropiane

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur interpelancë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen e “rishikimit të buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritjen e pagave në sektorin publik”, raporton Anadolu.

Përfaqësues opozitarë e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhim jo të duhur të buxhetit me investime të dobëta kapitale, lejim të rritjes së inflacionit dhe migrim të qytetarëve drejt vendeve evropiane.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se si grup parlamentar kanë ftuar në interpelancë ministrin Murati për të iniciuar fillimin e menjëhershëm të procedurës së shqyrtimit të buxhetit për vitin 2023, për shkak të dy shqetësimeve të mëdha: të dështimit në investimet kapitale dhe nevojës për ngritjen e koeficientit për pagat e sektorit publik nga 105 në 129 euro.

Sipas tij, menaxhimi i fondeve publike në këto dy vjet të qeverisë ishte i dobët, joprofesional, partiak, politik dhe i dëmshëm për vendin.

“Ekonomia e Kosovës siç po shihet dhe siç dihet, ka rënien më të ulët në historinë e saj. Ajo në vitin 2021 ka pasur ngritje vetëm 3 për qind, përderisa trendet e vitit 2023 janë edhe më të këqija. Këto janë vlerësime të dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga Banka Botërore dhe me dinamikën që kemi në këtë vit mund të pritet që vendi dhe ekonomia të bien në një kolaps dhe dështim të plotë”, theksoi Tahiri.

Ai tha se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti nuk ka arritur t’i plotësojë premtimet për vende të reja të punës, derisa theksoi se 7 mijë vende vakante janë në administratën shtetërore. Sipas Tahirit, rishikimi i buxhetit duhet të ndodhë me urgjencë për eliminimin e mangësive që theks të veçantë kanë koeficientin.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj tha se menaxhimi i parasë publike ka qenë i dëmshëm dhe po mbetet si i tillë. Ai theksoi se zgjidhja e krizës ekonomike është tek investimet kapitale.

“Nëse inflacioni ishte i importuar, mosveprimi i Qeverisë e thellonte atë pandalshëm. Mos të harrojmë se gjatë kësaj Qeverie kanë ikur më shumë se 600 mjekë dhe mijëra punëtorë shëndetësorë. Por, mos të harrojmë se migrimi i qytetarëve të vendit nuk ka të ndalur. Mbi 100 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin, pjesa dërrmuese e tyre të rinj dhe të reja”, theksoi Zemaj.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se shqetësimet dhe shifrat e përdorura nga përfaqësuesit opozitarë nuk qëndrojnë. Ai tha se vitin e kaluar rritja reale ekonomike ishte 3.5 për qind ndërsa në vitin paraprak ishte 10.7 për qind dhe “ngadalësimi ndodhi për shkak të gjerave të cilat nuk janë nën kontrollin tonë”.

Murati tha se lufta në Ukrainë dhe shkalla e inflacionit e kaploi gjithë globin, derisa kundërshtoi idenë se ka patur mos-alokim tek investimet kapitale.

“E vërtetë që kemi pasur një periudhë të vështirë sikurse të gjitha shtetet tjera, megjithatë, jemi munduar që ta adresojmë edhe këtë problem për aq sa ka pasur Qeveria në dorë dhe aq sa i është lejuar nga Kuvendi disa herë. Kemi ndërmarrë masa që të mbështesim prodhuesit vendor për të rritur prodhimin vendor dhe të mos kemi ekspozim aq të lartë ndaj rritjes së çmimit që importohet, por edhe masa brenda për brenda. Shumica e inflacionit tek ne importohet por një pjesë pastaj shkaktohet edhe brenda për shkak të lakmisë tepër të madhe të disa tregtarëve që tentojnë t’i rrisin normat apo marzhat e fitimit për kompanitë e tyre”, theksoi ai.

Sa i përket investimeve kapitale, ministri Murati tha se shpenzimet për dy vitet e kaluara kanë qenë tek shifra 420 milionë euro apo 5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), të cilën Murati e konsideroi se ato kanë qenë “brenda normës së rajonit, që varion nga 4 deri në 7 për qind të PBB-së për investime kapitale”.

Buxheti i vitit 2023 në Kuvendin e Kosovës u miratua në vlerë prej 3.21 miliardë eurove në dhjetor të vitit 2022.

Prej 3.2 miliardë eurove janë ndarë 745 milionë euro në kategorinë “Paga dhe Mëditje”, 493 milionë euro në kategorinë “Mallra dhe Shërbime”, 1 miliard e 98 milionë euro në “Subvencione dhe Transfere” dhe 811 milionë euro në “Shpenzime Kapitale”.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova