Operacion shpëtimi në Brezovicë: Dy turiste të huaja shpëtohen pas një ndërhyrjeje të vështirë 10-orëshe

Një operacion kërkim-shpëtimi është përmbyllur me sukses në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pasi dy turiste të huaja humbën rrugën dhe u përballën me kushte ekstreme në shtegun ndërkufitar High Scardus Trail, përkatësisht në segmentin 3 pranë liqenit të Livadhit në Brezovicë.

Rreth orës 17:35Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) pranoi një thirrje për ndihmë emergjente përmes butonit SOS të pajisjes Garmin inReach, pasi njëra nga turistet – të identifikuara me inicialet N.S dhe K.M – kishte pësuar lëndim në këmbë, ndërsa moti i keq e kishte bërë të pamundur vazhdimin e ecjes.

Duke qenë se zona nuk mbulohet nga rrjeti i telefonisë mobile, thirrja për ndihmë u bë përmes pajisjes satelitore, duke përfshirë edhe dërgimin e koordinatave të vendndodhjes. Një skuadër e ShKShMK u nis menjëherë në terren dhe arriti në vendin e parë të raportuar në kohë rekord. Megjithatë, turistet nuk u gjetën në koordinatat e para, pasi kishin lëvizur drejt luginës në Gotovushë, në përpjekje për të ikur nga stuhia dhe për të kërkuar strehim – një veprim i ndërmarrë pavarësisht paralajmërimeve për të mos lëvizur.

Përmes teknikave të avancuara të komunikimit, u siguruan koordinata të reja dhe operacioni vazhdoi në kushte atmosferike shumë të vështira, në një lartësi mbi 2400 metra mbi nivelin e detit.

Fatmirësisht, të dyja turistet u lokalizuan dhe u gjetën në gjendje të vetëdijshme. Njëra kishte lëndim në gjurin e majtë, ndërsa të dyja kishin shenja të hipotermisë së lehtë. Pas dhënies së ndihmës së parë, u nis evakuimi i tyre përmes shtigjeve alternative, për shkak të vështirësive që paraqiti drejtimi i gabuar në të cilin ato kishin lëvizur.

I gjithë operacioni zgjati 10 orë e 30 minuta dhe u përmbyll me sukses, falë bashkëpunimit dhe përkushtimit të lartë të të gjithë pjesëmarrësve.

Në mbështetje të këtij aksioni kanë qenë të angazhuar:

  • Policia e Kosovës,
  • Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK),
  • Zjarrfikësit e Komunës së Shtërpcës,
  • si dhe banorë vullnetarë nga Shtërpca.

ShKShMK ka shprehur falënderime të veçanta për të gjithë pjesëmarrësit në operacion, duke theksuar rëndësinë e vullnetit, humanizmit dhe profesionalizmit, të cilët mundësuan përmbylljen e suksesshme të këtij misioni shpëtimi në kushte jashtëzakonisht sfiduese.

Kategoritë
LajmeVendi