OKB: Sulmi izraelit në kampin e refugjatëve në Gaza ‘mund të jetë krim lufte’

Një seri sulmesh ajrore izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia në Rripin e Gazës të martën çuan në qindra viktima, sipas Ministrisë së Brendshme në enklavën e rrethuar

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut shprehu sot “shqetësime serioze” për sulmet ajrore izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia në Gaza, duke thënë se “sulmet joproporcionale mund të përbëjnë krime lufte”, transmeton Anadolu.

“Duke pasur parasysh numrin e lartë të viktimave civile dhe shkallën e shkatërrimit pas sulmeve ajrore izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia, ne kemi shqetësime serioze se këto janë sulme joproporcionale që mund të përbëjnë krime lufte”, tha zyra në rrjetin social “X”.

Një seri sulmesh ajrore izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia në Rripin e Gazës të martën çuan në qindra viktima, sipas Ministrisë së Brendshme në enklavën e rrethuar.

Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e grupit palestinez Hamas më 7 tetor.

Më shumë se 10.300 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 8.796 palestinezë dhe 1.538 izraelitë.

Përveç numrit të madh të viktimave dhe shpërnguljeve, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.

Kategoritë
BotaLajme