OKB: Palestinezët u qëlluan me armë zjarri gjatë pritjes për ndihma

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e palestinezëve, që janë trajtuar për lëndimet e marra pas sulmit të së enjtes gjatë pritjes për ndihma në Gaza, kanë pasur plagë nga armët e zjarrit. Konstatimi u bë pasi vëzhgues të OKB-së e vizituan spitalin “Al-Shifa” në qytetin e Gazës dhe i kanë parë rreth 200 persona që ende po marrin trajtim mjekësor.

Giorgios Petropoulos, kreu i zyrës në Gaza të Koordinatorit të OKB-së për Çështjet Humanitare (OCHA) ka thënë për BBC-në se ai dhe një ekip i dërguar në spitalin “Al-Shifa” gjetën numër të madh njerëzish me plagë plumbash. Ai ka thënë se të gjithë, përveç një numri nga 70 deri në 80 pacientë në dhomën e urgjencës ishin lënduar gjatë incidentit të autokolonës. Përveç atyre me plagë plumbash, ai ka thënë se mjekët kishin trajtuar shumë që ishin rrëzuar ose shkelur, por ai nuk ishte në gjendje të thoshte me siguri se cili grup ishte më i madh.

Petropoulos ka shtuar se ata me plagë plumbash ishin prekur në pjesën e sipërme dhe të poshtme të trupit. Një pacient i ka thënë atij se ishte qëlluar në gjoks dhe se kishte shkuar në “Al-Shifa” për të marrë trajtim. “Ai tha se ata (trupat izraelite) zakonisht gjuajnë në ajër. Këtë herë, ata qëlluan në pjesën më të dendur të turmës”, ka treguar Petropoulos. Por, Petropoulos ka shpjeguar se personeli i OKB-së nuk kishte qenë i pranishëm gjatë incidentit duke e bërë shumë të vështirë të dihej saktësisht se çfarë ka ndodhur.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, Daniel Hagari, zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), ka thënë se “dhjetëra qytetarë të Gazës janë plagosur si rezultat i shtytjes dhe shkeljes”

Nënkoloneli i IDF-së, Peter Lerner, ka thënë gjithashtu për “Channel 4 News” të Mbretërisë së Bashkuar se një “turmë sulmoi kolonën” dhe se trupat izraelite“me kujdes u përpoqën të shpërndanin turmën me disa të shtëna në ajër”.

Mark Regev, këshilltar special i kryeministrit izraelit, kishte thënë më herët për CNN-in se Izraeli nuk ishte përfshirë drejtpërdrejt në asnjë mënyrë dhe se të shtënat kishin ardhur nga “grupet e armatosura palestineze”, megjithëse nuk ka dhënë prova.

Liderët në të gjithë botën kanë kërkuar hetim të plotë të ngjarjes, raporton BBC.

Bisedimet pritet të vazhdojnë

Rasti ka ndodhur pasi qindra njerëz ishin grumbulluar rreth kamionëve me ndihma për të marrë ushqim, në orët e mëngjesit të së enjtes. Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, ka thënë se të paktën 112 persona u vranë në incident dhe se 760 të tjerë u lënduan. Derisa sulmet izraelite në Gaza kanë vazhduar edhe të shtunën duke lënë 17 të vdekur, Egjipti ka bërë të ditur se bisedimet e armëpushimit midis Hamasit dhe Izraelit do të rinisin të dielën në Kajro.

E zyrtarët amerikanë, kanë thënë të premten se nuk ka indikacione se diskutimet janë ndikuar nga ngjarja e fundit në Gaza. Sipas tyre, presidenti Joe Biden, ende shpreson se armëpushimi do të mund të arrihet para Ramazanit, ndonëse kanë mbetur vetëm edhe një javë deri atëherë.

“Ne po përpiqemi të arrijmë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për kthimin e pengjeve dhe një armëpushim të menjëhershëm në Gaza për të paktën gjashtë javët e ardhshme, dhe për të mundësuar rritjen e ndihmës për Rripin e Gazës”, ka deklaruar presidenti Biden, gjatë një takimi me kryeministren e Italisë, Georgia Meloni në Washington.

Të përfshirët në bisedime kanë thënë se një marrëveshje ka të ngjarë të zbatohet në faza të shumta dhe pasi të arrihet marrëveshja fillestare, ajo mund të çojë në një armëpushim që zgjat deri në gjashtë javë me një grup pengjesh izraelitë të liruar, në këmbim të një numri më të vogël të burgosurish palestinezë sesa kishte kërkuar fillimisht Hamasi.

Numri total i të vdekurve si pasojë e luftës mes Hamasit dhe Izraelit ka shkuar në mbi 30 mijë, që kur kanë nisur luftimet më 7 tetor.

SHBA-ja nis ndihmat ajrore

Dy ditë pas vrasjes së qindra palestinezëve që po prisnin për ndihma në Gazë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur shpërndarjen e ndihmave nga ajri. Agjencitë e ndihmave e kanë kritikuar këtë vendim të presidentit amerikan, Joe Biden, duke thënë se shpërndarja ka nisur pa plan të sigurt. Sipas tyre, në vend të kësaj, SHBA-ja do të duhej të ndërpriste furnizimin e Izraelit me armë dhe të ndikonte në shtyrjen drejt një armëpushimi në Gazë.

Të shtunën janë hedhur nga aeroplanët 66 pako të mëdha ndihme, 22 nga secili prej aeroplanëve që fluturuan mbi Gazë. Pakot raportohet se përmbanin ushqime, por jo ujë dhe pajisje mjekësore.

Pakot përmbanin 30 mijë shujta. Më parë, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dërguar ndihma humanitare nga ajri. SHBA-ja po e bën këtë gjë për herë të parë. Presidenti Joe Biden e ka paralajmëruar vendimin gjatë ditës së premte. Kur e paralajmëroi masën, Bideni pati thënë se kjo është ndihmë “që aspak nuk i përmbush nevojat”.

Agjencitë e ndihmës i kanë kualifikuar si joefektive planet e SHBA-së për të hedhur ndihma ushqimore në Gaza, ku OKB-ja paralajmëron se qindra mijëra njerëz janë në prag të urisë.

 

Richard Gowan, drejtori i OKB-së i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ka thënë se kjo metodë e shpërndarjes nuk është e duhura.

“Punëtorët humanitarë ankohen gjithmonë se fluturimet ajrore duken bukur në fotografi, por është mënyrë e keqe për të ofruar ndihma. Është e padiskutueshme që situata në Gaza tani është aq e keqe sa që çdo furnizim shtesë të paktën do të lehtësojë disa vuajtje. Por kjo në rastin më të mirë është një masë e përkohshme ndihmëse”, ka thënë Gowan.

Scott Paul i “Oxfam”-it shkroi në “X” se pikat e ndihmës “shërbejnë kryesisht për të lehtësuar ndërgjegjen fajtore të zyrtarëve të lartë amerikanë, politikat e të cilëve po kontribuojnë në mizoritë e vazhdueshme dhe rrezikun e urisë në Gaza”.

“Ndërsa palestinezët në Gaza janë shtyrë në pragun absolut, hedhja e një sasie të vogël simbolike ndihmese në Gazë, pa asnjë plan për shpërndarjen e saj të sigurt, nuk do të ndihmonte dhe do të ishte thellësisht degraduese për palestinezët”, ka deklaruar Paul.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht për rritjen e urisë në Gaza, derisa të shtunën, është regjistruar vdekja e fëmijës së dhjetë si pasojë e urisë. OKB-ja ka paralajmëruar se numri real mund të jetë më i lartë.

“Të dhënat zyrtare thonë se është regjistruar fëmija i dhjetë në spital që ka vdekur nga uria. Një e dhënë shumë e rëndë, por numrat jozyrtarë mund të pritet fatkeqësisht të jenë më të lartë”, ka thënë Christian Lindmeier, zëdhënëse e agjencisë së shëndetit të OKB-së.

Javën e fundit OKB-ja, duke përmendur shqetësimet për sigurinë ka thënë se nuk është në gjendje të dërgojë ndihma në Gazën veriore. Sipas OKB-së, kërkohen 500 kamionë ndihma çdo ditë. Ndërkaq mesatarja ditore ka qenë 90.

Kategoritë
BotaLajme