Oda e Prizrenit reagon ndaj rritjes së çmimeve në Shadërvan

Oda e Ndërmarrësve Zejtarëve – Oda e Prizrenit ka reaguar ashpër ndaj rritjes së çmimeve të kafesë në zonën e Shadërvanit, pas ankesave të shumta të qytetarëve dhe vizitorëve për çmime të pajustifikuara në këtë zonë të frekuentuar turistike.

Në reagimin zyrtar, Oda thekson se falë investimeve të Qeverisë Lokale, Shadërvani ka marrë një pamje më atraktive, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për bizneset, përmes rritjes së fluksit të vizitorëve dhe të qarkullimit ditor.

Por sipas Odës, disa biznese kanë filluar të keqpërdorin këtë situatë duke rritur çmimet në mënyrë të tepruar, çka mund të dëmtojë imazhin mikpritës të qytetit dhe të ndikojë negativisht në turizëm. “Bizneset duhet të jenë të kujdesshme, të ruajnë cilësinë dhe të mos abuzojnë me çmimet. Prizreni duhet të jetë model për të tjerët, jo shembull për kritika,” thuhet në reagim.

Reagimi i plotë

“Eskalojnë çmimet e kafesë në Shadërvan “

Qeveria lokale ka arritur të përmirësojë infrastrukturën në Shadërvan dhe t’i japë një pamje më atraktive për qytetarët, vizitorët, turistët e jashtëm dhe të brendshëm. Ky investim u ka mundësuar bizneseve të Shadërvanit të rrisin qarkullimin ditor, falë angazhimit të Komunës së Prizrenit.

Oda e Ndërmarrësve Zejtarëve – Oda e Prizrenit apelon që bizneset të mos keqpërdorin këtë fluks të madh të vizitorëve për të rritur çmimet në mënyrë të pajustifikuar. Nevojitet ruajtja e cilësisë dhe përshtatshmërisë së shërbimeve, si dhe përpjekje për të tërhequr sa më shumë vizitorë, në mënyrë që qyteti i Prizrenit të jetë model për qytetet e tjera, duke mbajtur gjallë traditën e mikpritjes.

Qeveria lokale u ka ofruar bizneseve hapësira të përshtatshme për tavolina, karrige dhe ndriçim, me çmime të favorshme, për të nxitur zhvillimin ekonomik lokal, edhe nëse kjo ka kufizuar përkohësisht hapësirat publike për qytetarët – gjithçka në funksion të mbështetjes për biznesin vendor.

Shpresojmë që bizneset do të reflektojnë pozitivisht në përcaktimin e çmimeve. Në të kundërtën, Oda do të kërkojë nga Komuna e Prizrenit të rishikojë kontratat për lejet e dhëna në ato hapësira dhe, nëse është e nevojshme, t’ua rikthejë ato qytetarëve.

Kërkojmë gjithashtu një takim të hapur ndërmjet përfaqësuesve të bizneseve dhe komunës, për të trajtuar shqetësimet legjitime të qytetarëve./Gazeta e Re

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi