– “Pa qasje të menjëhershme në ushqim dhe furnizime thelbësore, situata do të vazhdojë të përkeqësohet, duke shkaktuar më shumë vdekje dhe duke u shndërruar në uri”, tha agjencia e OKB-së për Anadolu
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha sot se situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet me shpejtësi, veçanërisht për fëmijët që përballen me kequshqyerje akute, transmeton Anadolu.
Midis janarit dhe qershorit të këtij viti, të paktën 19.089 fëmijë të moshës gjashtë deri në 59 muaj u pranuan për trajtim të kequshqyerjes akute – një mesatare prej mbi 100 fëmijësh në ditë, sipas Përditësimit të Situatës së Emergjencës të OBSH-së për Territoret e Pushtuara Palestineze që mbulon periudhën nga 7 tetori 2023 deri më 30 qershor 2025.
“Duke pasur parasysh mungesën kritike të furnizimeve ushqimore në Gaza, situata pritet të përkeqësohet më tej pa ndërhyrje të menjëhershme”, tha OBSH-ja.
“Njerëzit në Gaza janë të uritur, të sëmurë dhe po vdesin, ndërsa ushqimi dhe ilaçet janë vetëm pak minuta larg kufirit. Pa qasje të menjëhershme në ushqim dhe furnizime thelbësore, situata do të vazhdojë të përkeqësohet, duke shkaktuar më shumë vdekje dhe duke u shndërruar në uri”, tha organizata për Anadolu.
Agjencia e shëndetit publik e OKB-së gjithashtu ngriti alarmin për përkeqësimin e sigurisë ushqimore në enklavë.
“Siguria ushqimore vazhdon të përkeqësohet në gjithë Gazën, me rreziqe të vazhdueshme nga uria dhe sfida serioze në aksesin në furnizimet ushqimore të disponueshme, veçanërisht për ata që janë më të prekshëm, për shkak të hyrjes së kufizuar të ndihmës dhe plaçkitjeve të vazhdueshme dhe shpërndarjeve të militarizuara. Familjet përgjithësisht mbijetojnë me një vakt të vetëm të varfër në ditë, dhe në disa raste, njerëzit kalojnë ditë të tëra pa ngrënë”, tha ajo.
Duke cituar të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, OBSH-ja tha se 61 vdekje të lidhura me kequshqyerjen janë raportuar brenda institucioneve të saj shëndetësore që nga tetori 2023.
Agjencia e OKB-së ka bërë thirrje të përsëritura për një armëpushim dhe akses të papenguar në ndihmë humanitare. Ministria e Shëndetësisë e Gazës konfirmoi se të paktën 19 persona kanë vdekur nga uria vetëm gjatë 24 orëve të fundit.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka kryer një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë mbi 59.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi dhe përhapje të sëmundjeve.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.