“Mbi gjysmë milioni njerëz përballen me kushte katastrofike të karakterizuara nga uria, varfëria dhe vdekja”, tha përfaqësuesi i OBSH-së, Rik Peeperkorn
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Palestinë, Rik Peeperkorn tha se 206 persona vdiqën nga efektet e kequshqyerjes vetëm në vitin 2025, të cilët janë konfirmuar nga OBSH, transmeton Anadolu.
Në konferencën për media të Zyrës së OKB-së në Gjenevë, Peeperkorn tha se raporti i organizatës mbikëqyrëse e mbështetur nga OKB-ja, Klasifikimi i Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC) konfirmoi zi buke në qytetin e Gazës që nga 15 gushti. “Mbi gjysmë milioni njerëz përballen me kushte katastrofike të karakterizuara nga uria, varfëria dhe vdekja. Kjo është hera e parë që një zi buke është konfirmuar zyrtarisht në rajonin e Lindjes së Mesme”, tha ai.
Sipas tij, parashikohet që kequshqyerja akute në Gaza të vazhdojë të përkeqësohet me shpejtësi. “Siç është verifikuar nga OBSH-ja, 206 persona kanë vdekur nga efektet e kequshqyerjes në vitin 2025. Që nga qershori 2026, sipas analizës së IPC-së, të paktën 132 mijë fëmijë nën moshën 5-vjeç janë në rrezik të vdesin nga kequshqyerja akute. Ky numër është dyfishuar krahasuar me vlerësimet e IPC-së të raportuara në maj 2025”, thekson Peeperkorn.
Ai bën të ditur se situata do të përkeqësohet me shpejtësi kur uria të godasë pjesë të tjera të Rripit të Gazës. “Kjo është një krizë e shkaktuar nga njeriu dhe duhet të përmbyset. Tani është koha për të vepruar, pa vonesë ose justifikime”, shtoi përfaqësuesi i OBSH-së.
Peeperkorn potencoi nevojën për armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në Gaza dhe për qasje të papenguar në ndihmë masive për të gjithë banorët e Gazës.
– Raporti i IPC-së
Në raportin e fundit të IPC-së thuhet se “Që nga 15 gushti 2025, uria në qytetin e Gazës (niveli 5 i IPC, i njohur si niveli katastrofik) u konfirmua nga prova të arsyeshme. Pas 22 muajsh të konfliktit brutal, mbi gjysmë milioni njerëz në Rripin e Gazës përballen me kushte katastrofike të karakterizuara nga uria, varfëria dhe vdekja”.
Gjithashtu në raport theksohet se kjo uri pritet të përhapet në të gjithë Rripin e Gazës.