Nxënësit e një shkolle fillore në Prishtinë vizitojnë Qeverinë e Kosovës, pyesin Kurtin “si ndihet në pozitën e kryeministrit”

Mëngjesin e sotëm, mysafirë në Kryeministri patën rastin të jenë një grup nxënësish të Shkollës Fillore “Ismail Qemaili”, të cilët u pritën nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përcjell Reporteri.net.

Në komunikatën për media, thuhet se “kureshtjes dhe interesimit të shfaqur gjatë takimit nga shkollarët e vegjël, kryeministri Kurti iu përgjigj duke ndarë me nxënësit kujtime nga fëmijëria e tij, si dhe përvoja nga jeta profesionale në pozitën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës”.

“I lumtur, e sidomos kur njerëzit e tjerë bëhen të lumtur që po ju ndihmoj dhe shërbej si kryeministër i Republikës së Kosovës”, u shpreh ai në pyetjen se si ndihet në pozitën e kreut të Qeverisë.

“Fëmijët e klasës së parë të shoqëruar nga mësuesja Filloreta Mustafa Dërmaku, falënderuan kryeministrin Kurti për mundësinë dhe kohën për t’u takuar, derisa nxënësit përveç momenteve të këndshme e gazmore, i dhuruan kryeministrit edhe një punim arti të realizuar nga duart e tyre”, thuhet tutje.

Gjatë këtij takimi nxënësit e vegjël patën rastin të vizitojnë ndërtesën e Qeverisë dhe të njihen nga afër me ambientet e punës, përfshirë sallën e mbledhjeve të kabinetit qeveritar dhe Qendrën për Media.

 

Kategoritë
LajmeVendi