“Nuk pyetet presidentja, as i dëgjohet fjala”/ Haziri: Osmani po luan rolin e zjarrfikësit mes Kurtit e ndërkombëtarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Qeveria duhet të ulet me aleatët dhe të bisedojë për çështjen e dinarit.

Kështu u shpreh ajo në një intervistë për televizionin arab “Al Aan”, teksa shtoi se për të dalë nga kjo situatë, duhet të arrihet një marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë, për zbatimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Ka hapësirë për t’u ulur dhe për të diskutuar mes qeverisë dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë, për të punuar rreth kësaj çështjeje”, deklaroi Osmani.

Lidhur me këtë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se presidentja nuk pyetet e as nuk i dëgjohet fjala dhe se këtë krizë e ka bërë Kurti për tri vjet, ndërsa Osmani s’ka pasur rol mbi palët.

“Nuk pyetet Presidentja e në këtë rast as nuk i dëgjohet fjala. Kurti këtë krizë politike me aleatët e ka vazhduar për herën e tetë për tre vjet administrimi të qeverisë VV/Guxo/Minoritetet. Asnjëherë nuk ka arritur të jetë mbi palët në rolin e saj”, thotë ai.

Haziri vlerëson se Osmani po e luan tani rolin e zjarrfikësit mes Kurtit e ndërkombëtarëve, ndërsa që këtë s’po e bën edhe mes Kurtit e sindikatave.

“Roli i zjarrfikësit në mes Kurtit e partnerëve ndërkombëtarë po bëhet por jo në mes Kurtit e sindikatave apo edhe opozitës dhe shoqërisë civile. Ambasadori Hovenier ka zbardhur këtë raport me Qeveri dhe shumicën parlamentare”, shprehet nënkryetari i LDK-së për Gazeta Blic.

Ai shton se LDK mbetet e përkushtuar në tejkalim të kësaj situate, teksa shton se Kurti e ka humbur besimin dhe po  prodhon vendime të ngutshme, ku Kosova po paraqitet si burim destabilizimi.

“LDK mbetet e angazhuar për të tejkaluar këtë gjendje përkundër rolit opozitar. Kurti ka humbur besimin. Po prodhon vendime të ngutshme. Kosovën e ka bërë burim të politikave e lajmeve të këqija…po na paraqesin si burim destabilizimi”, deklaron Lutfi Haziri.

Kategoritë
LajmeVendi