“Nuk ke nevojë me u ba nervoz”, përplasje mes Muratit e Tahirit për pagën minimale

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, janë përplasur lidhur me pagën minimale

Murati tha se është pikërisht partia e Tahirit që ka bllokuar rritjen e pagës minimale, duke e çuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese

“Sa i përket pagës minimale, më lejoni t’ua rikujtojë se paga minimale ka një vit e ca që ne e kemi sjellë në Kuvend si qeveri dhe është vonuar pikërisht në Kuvend sepse opozita ka penguar votimin e pagës minimale. Megjithatë, vitin e kaluar, në muajin korrik, Projektligji që mundëson rritjen e pagës minimale ka kaluar në kuvend. Mirëpo është një subjekt politik që e ka dërgu në Gjykatë Kushtetuese për me blloku rritjen e pagës minimale dhe është pikërisht subjekti politik i deputetit Besnik Tahiri që e ka bë këtë gjë, pra dhjetë deputetë kanë mbledh nënshkrimet për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe prej asaj kohe, ligji që mundëson rritjen e pagës minimale është i bllokuar në Kushtetuese”, tha Murati.

Sipas Muratit, nga rritja e pagës minimale do të përfitonin edhe të gjithë të punësuarit meqë do të rritej pragu i pagës që lirohet nga tatimi.

“Prandaj, para se të kërkojë deputeti Besnik Tahiri që të rritet paga minimale dhe para se ta akuzojë qeverinë pse spo e rrit pagën minimale, duhet t’ju tregojë qytetarëve se është pikërisht ai që ka nënshkruar për me dërgu në Kushtetuese dhe me i lanë mbi 100 mijë qytetarë që përndryshe kishin përfitu nga rritja e pagës minimale dhe të gjithë të punësuarit do të kishin përfitu për shkak se rritet pragu i pagës që lirohet nga tatimi”, tha ministri.

Muratit i replikoi Tahiri, i cili tha se paga minimale duhet të jetë së paku 450 euro. Në fillim të replikës, ai iu drejtua ministrit duke i thënë “Ministër nuk ke nevojë me u bë nërvoz”.

“Te paga minimale, ne s’kemi pas rrugë tjetër sepse s’kemi si ju ballafaqojmë juve si ministër dhe qeverinë përveç shfrytëzimit të dokumenteve demokratike. Ju e keni hjek nenin për veteranët UÇK’së dhe keni vendos pagë minimale, pagë e cila nuk ka pagë më të vogël se 250 euro në sektorin privat. Paga minimale duhet me qenë së paku 450 euro, siç ka propozu AAK’ja dhe mbi këtë bazë ka qenë ankimimi jonë në Kushtetuese. Te shohim çfarë vendimi do të merr Gjykata Kushtetuese”, tha Tahiri.

Murati e mori fjalën sërish ku tha se AAK’ja gjatë fushatës kishte premtuar pagë minimale 1 mijë euro, por se kur e kishin marrë pushtetin i kishin ngritur pagat e tyre.

“Sa i përket pagës mimimale e propozimit të juaj për 400, mua edhe më kujtohet që ju në fushatë patët premtu pagë minimale 1 mijë euro, por kur keni ardh në pushtet ia keni rrit vetës e jo pagën minimale”, tha Murati.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi