Norvegjia tërhiqet nga Caterpillar për shkak të pjesëmarrjes në krimet izraelite

Fondi më i madh shtetëror i investimeve në botë ka shitur pjesën e tij në Caterpillar pasi këshilltarët e tij theksuan se Izraeli po përdor produktet e prodhuesit amerikan të makinerive ndërtimore për të kryer “shkelje të gjera dhe sistematike të së drejtës humanitare ndërkombëtare” duke shkatërruar pronën palestineze.

Fondi norvegjez i naftës, me vlerë 2 trilionë dollarë, ishte një nga 10 aksionarët më të mëdhenj të Caterpillar, duke zotëruar 1,2 për qind të kompanisë, me vlerë rreth 2,1 miliardë dollarë në fund të qershorit. Tani fondi ka shitur të gjithë pjesën e tij.

Shitje masive edhe në bankat izraelite

Fondi gjithashtu ka shitur aksionet në pesë banka izraelite për shkak të financimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar. Me këtë hap, fondi pothuajse ka përgjysmuar numrin e kompanive izraelite që zotëron – nga 61 në 33 – vetëm brenda disa javësh, nën presionin e madh publik dhe politik.

Zbulimet se kompanitë e financuara nga fondi mirëmbanin motorë për avionë luftarakë izraelitë të përdorur në bombardimet mbi Gazën shkaktuan tronditje në Norvegji.

Disa parti opozitare kanë kërkuar dalje të plotë të fondit nga Izraeli, ndërsa drejtuesi kryesor i tij është thirrur të japë dorëheqjen para zgjedhjeve parlamentare që mbahen për dy javë.

Shitja e aksioneve të Caterpillar shënon herën e parë që fondi norvegjez tërhiqet nga një kompani jo-izraelite për shkak të veprimtarisë së saj në Izrael dhe territoret palestineze.

Rekomandim nga Këshilli i Etikës

Shitja është bërë mbi bazën e rekomandimit të Këshillit të Pavarur të Etikës, një organ i themeluar nga qeveria norvegjeze për të këshilluar fondin kur duhet të përjashtojë kompani nga portofoli i tij për shkak të shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare.

“Buldozerët që prodhon Caterpillar përdoren nga autoritetet izraelite për shkatërrimin e paligjshëm dhe të përhapur të pronës palestineze. Nuk ka asnjë dyshim se produktet e Caterpillar përdoren për shkelje sistematike të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Kompania nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ta parandaluar këtë përdorim”, thuhet në raport.

Ndër bankat ku fondi shiti aksione janë: First International Bank of Israel, FIBI Holdings, Bank Leumi Le-Israel, Mizrahi Tefahot Bank dhe Bank Hapoalim, të gjitha të akuzuara për financimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, të cilat konsiderohen të paligjshme nga e drejta ndërkombëtare.

Dilemat politike dhe presioni amerikan

Ministri norvegjez i financave, Jens Stoltenberg, njëherësh ish-kreu i NATO-s, tha për Financial Times se fondi ka gjetur “balancën e duhur” në lidhje me Izraelin, pavarësisht “dilemave” dhe “vendimeve të vështira”.

Megjithatë, disa zyrtarë norvegjezë kanë pranuar privatisht se fondi ndodhet në një pozitë thuajse të pamundur: nga njëra anë duhet t’i përgjigjet opinionit publik të shqetësuar për sjelljen izraelite në Gaza, ndërsa nga ana tjetër duhet të ruajë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara – përkrahës të fuqishëm të Tel Avivit.

Ekziston edhe frika se nëse fondi shitet nga shumë kompani izraelite, disa shtete amerikane mund të zbatojnë ligjet kundër bojkotit, gjë që mund të ketë pasoja negative për investitorin dhe për vetë Norvegjinë.

 

Kategoritë
BotaLajme