Në Oslo, të hënën pasdite, 18-vjeçari Djordje Wilms, me prejardhje nga Serbia, u dërgua zyrtarisht në paraburgim nën dyshimin se ka kryer vrasje dhe ka planifikuar sulm terrorist.
Wilms, i lindur në Gjermani dhe me shtetësi gjermane, që nga fëmijëria ka jetuar në Norvegji dhe që nga viti i kaluar ishte i vendosur në një qendër banimi nën mbikëqyrjen e shërbimeve sociale për mbrojtjen e fëmijëve në Kampen, Oslo.
Natën mes së shtunës dhe së dielës u gjet trupi i 34-vjeçares Tamime Nibras Juhar, punonjëse në këtë institucion. Sipas mediave norvegjeze, ajo u vra me goditje të shumta me thikë. Wilms u arrestua dhe gjatë marrjes në pyetje u lidh me krimin, duke deklaruar se ishte i motivuar politikisht.
Avokati i tij, Petter Mandt, tha se i dyshuari ka dhënë një deklaratë të detajuar për veprimet dhe motivet e tij, por nuk e pranon përgjegjësinë penale në kuptimin juridik. Gjykata e dërgoi në paraburgim 4-javor me ndalim kontakti, pavarësisht kundërshtimit të tij.
Planifikonte sulm ndaj xhamive
Policia konfirmoi se hetimi është zgjeruar pasi ekzistojnë prova që 18-vjeçari kishte qëllim të siguronte armë dhe të kryente sulme mbi xhami. Prokurori Philip Green theksoi se i riu kishte shprehur qëndrime tejet negative ndaj myslimanëve dhe donte të përhapte frikë në disa komunitete. Megjithatë, ai shtoi se mundësitë reale për të kryer sulmet e planifikuara ishin të kufizuara.
Wilms tani akuzohet për vrasje me qëllim krijimin e terrorit, një vepër penale që në Norvegji dënohet me maksimumi 21 vite burg.
Mediat norvegjeze raportojnë se Wilms këtë vit ishte aktiv në një grup në Telegram të lidhur me partinë ekstremiste të djathtë Alliansen, ku hapur shprehte mbështetje për ideologjinë e tyre. Në mesazhe shkruante se emigrantët po shkatërrojnë Norvegjinë dhe se “e gjithë qeveria duhet të bjerë sepse demokracia po shkatërron të ardhmen nordike”.
PST kishte marrë paralajmërime
Shërbimi i Sigurisë së Norvegjisë (PST) bëri të ditur se për herë të parë kishte marrë informacion për Wilms në shkurt të vitit 2024. Në bazë të këtyre të dhënave, ai u fut në një grup prej rreth 3.000 personash me qëndrime ekstremiste të djathta, por që përbënin nivel të ulët kërcënimi. Gjatë vitit 2024, nga institucione të ndryshme, përfshirë edhe stafin e qendrës ku jetonte, vazhdimisht mbërrinin denoncime të reja për deklaratat e tij me përmbajtje naziste.
Në mars, pas një takimi mes policisë, shërbimeve sociale dhe administratës së institucionit ku qëndronte, u dërgua edhe një raport zyrtar. Edhe atëherë PST arriti në përfundimin se niveli i kërcënimit ishte i ulët.
Shefi i departamentit kundër terrorizmit në PST, Lars Lilleby, pranoi në një konferencë për media se shërbimi tani do të rishqyrtojë vlerësimet dhe veprimet e tij.
Policia e Oslos gjithashtu pranoi se kishte informacione për sjelljen shqetësuese të të riut. Komisionerja e policisë, Ida Melbo Øystese, tha se në qershor kishin vlerësuar se situata ishte qetësuar, por gjatë verës u vërejt sërish përkeqësim.
“Megjithëse institucionet kanë bashkëpunuar, kanë shkëmbyer informacione dhe kanë marrë disa masa, fatkeqësisht nuk arritëm të parandalojmë që një grua e re të humbasë jetën”, deklaroi Øystese.
Policia ka njoftuar për një hetim të brendshëm të detajuar për të përcaktuar nëse mund të ishte bërë diçka ndryshe dhe nëse dështimet e sistemit kanë kontribuar në këtë tragjedi.