Federata e Futbollit e Izraelit publikoi një komunikatë për shtyp duke shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të norvegjezëve që fitimin nga ndeshja e tyre ta dhurojnë për ndihmë popullit të Gazës.
Në ciklin e ardhshëm të kualifikimeve për Kupën e Botës, Norvegjia do të jetë nikoqire e Izraelit. Megjithëse shumëkush kërkon që Izraeli të përjashtohet nga garat e UEFA-s dhe FIFA-s derisa të ndalet gjenocidi ndaj popullit të Gazës, kjo përfaqësuese vazhdon të marrë pjesë në gara.
Norvegjezët treguan madhështi duke deklaruar se “nuk mund të zgjedhim kundërshtarët tanë, por mund të bashkohemi me një mision humanitar”, dhe njoftuan se gjithë të ardhurat nga ndeshja do t’i dhurojnë për qëllime humanitare në dobi të popullit të Gazës.
“Izraeli është pjesë e garave të FIFA-s dhe UEFA-s dhe ne duhet të përballemi me këtë fakt, por duam t’ia japim fitimin një organizate humanitare që çdo ditë shpëton jetë në Gaza dhe që ndihmon aktivisht në rastet emergjente në terren”, deklaroi Lise Klaveness, presidente e Federatës së Futbollit të Norvegjisë.
Përgjigjja nga Izraeli nuk vonoi. Izraelitët u zemëruan me norvegjezët për faktin që duan të ndihmojnë ata që kanë më së shumti nevojë.
“Zakonisht nuk u japim këshilla federatave për mënyrën e shpenzimit të të ardhurave nga ndeshjet, edhe nëse ato janë realizuar falë përballjes me kombëtaren tonë krenare, por kësaj here do të bëjmë një përjashtim”, thuhet në komunikatën e Federatës Izraelite të Futbollit.
“Do të ishte mirë sikur një pjesë e atij shume të orientohej për të dënuar masakrën e 7 tetorit ku humbën jetën qindra qytetarë dhe fëmijë izraelitë ose për aksionin e lirimit të 50 pengjeve. Ju lutemi, sigurohuni që paratë të mos kalojnë te organizatat terroriste. Gjithashtu, synimi ynë është të marrim tre pikët”, shtuan izraelitët.
Dy kombëtaret do të përballen më 11 tetor në Oslo. Norvegjia aktualisht kryeson grupin H me katër fitore në po aq ndeshje, ndërsa Izraeli është i dyti me gjashtë pikë nga tri ndeshje.