Një vit pas pezullimit të Dialogut Strategjik me Kosovën, po i kërkohet SHBA-së rikthimi i dialogut, shkruan Gazeta Metro.
“Në takim, Presidentja ka theksuar se Republika e Kosovës e çmon lart mbështetjen bipartizane e të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleates strategjike dhe partneres së pazëvendësueshme. Në këtë kontekst, Presidentja ka potencuar nevojën e rikthimit të menjëhershëm të Dialogut Strategjik si instrument thelbësor për thellimin e partneritetit strategjik dhe për avancimin e prioriteteve të përbashkëta”, u tha në komunikatën e Presidencës.
Me senatorët Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin të hënën u takua edhe kryeministri Albin Kurti, por ky i fundit nuk kërkoi të njëjtën gjë si presidentja.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti me senatorët diskutoi për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, por jo edhe për rikthimin e Dialogut Strategjik.
SBA-të në shtator të vitit 2025 e pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë.
Siç njoftonte Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, thuhej në njoftimin e Ambasadës.
Lidhur me pezullimin e Dialogut Strategjik, Qeveria Kurti u kritikua nga aktorë opozitarë dhe nga shoqëria civile./gazetametro.net
