Përdorimi i pa matur i aplikacionit TikTok ka shkaktuar skandal në ushtrinë ukrainase.
Oficeri me emrin Valentyn Manko, publikoi në rrjetin social një seri fotografish personale me qenin e tij, por edhe me harta sekrete dhe imazhe satelitore që tregonin pozicionet e frontit të ushtrisë ukrainase dhe dronëve të zbulimit.
Në hartat e shënuara si “sekrete”, ishin qartësisht të shënuara pozicionet e forcave ukrainase; çdo person mund të shihte ku në pyje janë fshehur njësitë ukrainase. Të tjera harta tregonin jo vetëm ku janë të përqendruara forcat ukrainase, por edhe sa janë të fuqishme.
Në disa raste shihej saktësisht cilat fshatra mbajnë forcat ukrainase dhe cilat forcat ruse. Disa nga hartat në fotot përmbanin shënime të shkruara dorazi ose të printuara nga komanda ukrainase me vlerësime për situatën në pjesë të ndryshme të frontit.
Fotografitë zbuluan gjithashtu programet që përdoren dhe aplikacionet e komunikimit, si edhe disa emra përdoruesish të njësive ukrainase që ndanin dhe analizonin informacione të ndjeshme.
Komanda e lartë e ushtrisë ukrainase ende nuk ka komentuar për këtë skandal, ndërsa mediat ukrainase – që në kohë lufte kritikojnë ushtrinë me shumë kujdes – kanë përshkruar rastin si “çështje jashtëzakonisht e rrezikshme”.Blogerë dhe aktivistë në rrjetet sociale reaguan ashpër. Grupi “InformNapalm” tha se “varësia nga TikTok mes zyrtarëve me qasje në sekretet shtetërore është thjesht çmenduri”.

















