Një luftëtar i ri në mesfushën e Dardanëve – Kush është Veldin Hoxha, futbollisti që la Kroacinë për ta përfaqësuar Kosovën?

Mesfushori Veldin Hoxha, një nga talentet më premtues të futbollit kroat, ka vendosur të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës, duke lënë pas Kroacinë, me të cilën ka luajtur në të gjitha grupmoshat deri te U21.

I lindur më 15 tetor 2002 në Rijeka të Kroacisë, Hoxha ka prejardhje nga fshati Restelicë në komunën e Dragashit, prej nga vijnë prindërit e tij. Pavarësisht se është rritur në Kroaci, ai gjithmonë ka ruajtur lidhjen me rrënjët shqiptare.

Karrierën e nisi në akademinë e klubit Rijeka, ku kaloi të gjitha kategoritë e moshave dhe debutoi me ekipin e parë në vitin 2020.

Pas një periudhe zhvillimi dhe  një periudhe huazimi të suksesshme, Hoxha u rikthye si titullar i padiskutueshëm te Rijeka, përpara se të transferohej në Rusi, te Rubin Kazan, në shtator 2024, për një shumë rreth 2 milionë euro.

Pasi grumbulloi  24 ndeshje me përfaqësuesen U21 të Kroacisë, ai vendosi të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke sjellë me vete eksperiencë, teknikë dhe një lidhje emocionale të fortë me vendin e origjinës.

Ky është një përforcim i madh për Kosovën, që përfiton një mesfushor modern, i aftë të kontribuojë si në aspektin mbrojtës ashtu edhe në ndërtimin e lojës.

Çfarë sjell Hoxha për Kosovën?

Me një stil loje të ngjashëm me atë të mesfushorëve të kalibrit ndërkombëtar si Rodri, Hoxha është një lojtar me aftësi të balancuara: i fortë fizikisht, me pasime precize dhe aftësi për të diktuar ritmin e lojës.

Ai është i shquar për pasimet vertikale, ndërlidhjen mes mbrojtjes dhe sulmit, si dhe për duele të fituara në mesfushë.

Ky është një profil që i mungonte mesfushës së Kosovës, e cila ka kërkuar stabilitet dhe kreativitet në qendër të fushës.

Hoxha mund të jetë pikërisht lojtari që do të jetë balancuesi mes disiplinës taktike dhe cilësive teknike.

Me ardhjen e Rexhbecajt më parë si dhe emrave si Vesel Demaku, Bledian Krasniqi e Veldin Hoxha, reparti i mesfushës te Kosova që ishte problem më parë, tani pritet të jetë i mbingarkuar dhe shumë cilësorë.

Një fitore strategjike për Kosovën

Përfaqësimi i Hoxhës me Kosovën nuk është thjesht një përforcim në fushë, por edhe një sinjal për lojtarët e tjerë me prejardhje shqiptare jashtë vendit.

Vendimi i tij forcon besimin se Kosova mund të jetë një destinacion serioz dhe krenar për talentët shqiptarë që rriten në diasporë.

Në një kohë kur kombëtarja synon kualifikimin në Kupën e Botës 2026 ose Evropianin e vitit 2028, ardhja e një lojtari si Veldin Hoxha është më shumë se një lajm, është një shpresë se rrugën e tij do ta ndjekin edhe shumë lojtarë të tjerë të lindur dhe rritur në vende të ndryshme evropiane.

Kosova viteve të fundit ka ‘vuajtur’ pasi shpesh futbollistë të ndryshëm e kanë shfrytëzuar si ‘gomë rezervë’ duke luajtur ndonjë miqësore me Dardanët dhe duke ikur te Kombëtare të tjera si Shqipëria, Zvicra, Gjermania e Suedia.

Kategoritë
LajmeSport