Një i vrarë nga forcat izraelite në jug të Sirisë pranë Lartësive të Golanit

Sulmi i fundit është bastisja e katërt izraelite në gusht në Quneitra, e cila ndodhet brenda zonës së shkëputjes në Lartësitë e pushtuara të Golanit

Një person u vra në një sulm izraelit në një fshat në periferinë Quneitra në Sirinë jugore, transmeton Anadolu.

Sipas televizionit shtetëror Al-Ikhbariya TV, ushtria izraelite bastisi një shtëpi në fshatin Turnejeh, në veri të Quneitras, duke vrarë një banor.

Kanali më parë raportoi një bastisje gjatë natës nga trupat izraelite në fshatin Suwaisa në Quneitra, ku ata qëlluan predha dhe kryen kërkime në zonë mes konfrontimeve me banorët.

Gjithashtu një qytetar u arrestua nga forcat e ushtrisë.

Sulmi i fundit është bastisja e katërt izraelite në gusht në Quneitra, e cila ndodhet brenda zonës së shkëputjes në Lartësitë e pushtuara të Golanit.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, në platformën amerikane të mediave sociale, X, tha se ushtria izraelite “do të mbetet në majën e malit Hermon dhe në zonën e sigurisë”.

Ministri izraelit pretendoi se prania e ushtrisë është e nevojshme për të “mbrojtur vendbanimet e Golanit dhe Galilesë” dhe komunitetin Druzë në Siri.

Gjatë 7 muajve të fundit, ushtria izraelite ka pushtuar Malin Hermon (Jabal al-Sheikh) dhe një rrip sigurie prej 15 kilometrash të gjerë në pjesë të Sirisë jugore, duke kontrolluar më shumë se 40.000 sirianë brenda zonës së sigurisë së pushtuar.

Pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad në fund të vitit 2024, Izraeli zgjeroi pushtimin e Lartësive të Golanit Sirian duke pushtuar zonën e çmilitarizuar të sigurisë, një veprim që shkeli Marrëveshjen e Shkëputjes së vitit 1974 me Sirinë.

Administrata e re siriane, në fuqi që nga fundi i dhjetorit 2024, nuk ka paraqitur ndonjë kërcënim për Izraelin, megjithatë ushtria izraelite ka kaluar vazhdimisht në territorin sirian dhe ka kryer sulme ajrore që kanë vrarë civilë dhe kanë shkatërruar vendet dhe infrastrukturën ushtarake të Sirisë.

Kategoritë
BotaLajme