Një fund i turpshëm – Simboli i Putinit dhe krenaria e flotës ruse po ‘shitet’ për hekur

Anija e vetme aeroplanmbajtëse e Rusisë, Admiral Kuznetsov, e cila dikur përfaqësonte krenarinë e flotës detare ruse dhe simbolin e fuqisë ushtarake të regjimit të presidentit, Vladimir Putinit, mund të përfundojë së shpejti në skrap.

Sipas burimeve të afërta me qeverinë, të cituara nga gazeta proqeveritare Izvestia, Ministria ruse e Mbrojtjes dhe përfaqësues të industrisë së ndërtimit të anijeve janë duke shqyrtuar seriozisht mundësinë e ndërprerjes përfundimtare të riparimeve dhe çmontimit të anijes.

Admiral Kuznetsov, i ndërtuar në vitin 1985 gjatë epokës sovjetike, ka qenë për dekada të tëra pjesë e imazhit të madhështisë ushtarake ruse. Megjithatë, në realitet, anija ka pasur histori të gjatë me probleme teknike, incidente dhe dështime operative. Në vitin 2018, pas kthimit nga një mision në Siri, ajo u fut në një proces të gjatë riparimi dhe modernizimi në portin e Murmanskut, në veriun e largët të Rusisë. Por përparimi në këto punime ka qenë minimal dhe ka hasur në vonesa të vazhdueshme.

Procesi i modernizimit është shoqëruar nga një sërë problemesh, përfshirë zjarre në bord, aksidente gjatë mirëmbajtjes dhe mungesë fondesh. Në një incident të rëndë në vitin 2019, një vinç u rrëzua mbi anijen gjatë një operacioni në dok, duke shkaktuar dëme serioze në kuvertë. Po ashtu, kanë pasur zjarre të përsëritura që kanë lënë të plagosur teknikë dhe punëtorë, ndërsa një numër specialistësh janë tërhequr nga projekti për shkak të vështirësive teknike dhe financiare.

 

Sipas raportimeve, autoritetet janë duke u përballur me dilema të mëdha: duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë të hedhin para në një anije që është tashmë teknologjikisht e tejkaluar dhe me kosto shumë të lartë mirëmbajtjeje, apo ta çojnë atë për skrap dhe ta mbyllin njëherë e mirë këtë kapitull.

Nëse merret vendimi për të çaktivizuar dhe hedhur për skrap Admiral Kuznetsov, Rusia do të mbetet pa asnjë aeroplanmbajtëse funksionale – një boshllëk i madh në flotën e saj detare në krahasim me SHBA-në dhe fuqitë e tjera ushtarake botërore. Kjo do të ishte një goditje simbolike për imazhin ushtarak që Kremlini përpiqet të paraqesë, veçanërisht në kohën kur Rusia ndodhet në një luftë të gjatë dhe të kushtueshme në Ukrainë dhe është nën trysninë e sanksioneve ndërkombëtare.

Admiral Kuznetsov, përveçse një objekt i madh propagande, ishte edhe mjeti i vetëm me të cilin Rusia mund të shfaqte prezencë detare në distanca të mëdha. Largimi i tij nga përdorimi do të zvogëlonte më tej aftësinë e Rusisë për të projektuar fuqinë e saj ushtarake jashtë kufijve të saj tradicionalë.

Kjo situatë ilustron më qartë sesa kurrë realitetin e përkeqësuar të ushtrisë ruse, që përkundër retorikës së Kremlinit, përballet me probleme serioze logjistike, teknologjike dhe financiare.

Kategoritë
LajmeRajoni