Programi i OKB-së për ushqim ka paralajmëruar se pothuajse çdo i treti person në Rripin e Gazës nuk ka ngrënë prej ditësh. “Kequshqyerja po rritet dhe 90.000 gra e fëmijë kanë urgjentisht nevojë për trajtim mjekësor”, thuhet në deklaratën e Programit Botëror të Ushqimit (WFP).
Paralajmërimet për urinë në Gazë janë intensifikuar këtë javë. Sipas të dhënave nga Ministria palestineze e Shëndetësisë, të premten edhe nëntë persona të tjerë vdiqën nga kequshqyerja, duke e çuar numrin total të viktimave të tilla që nga fillimi i luftës në 122.
Të premten, kryeministri britanik Sir Keir Starmer propozoi që Britania e Madhe të luajë rol në shpërndarjen ajrore të ndihmës në Gazë, pasi më shumë se një e treta e deputetëve firmosën një letër ku i bëjnë thirrje qeverisë që të njohë shtetin palestinez.
Kjo ndodhi pasi një zyrtar izraelit i sigurisë tha se në ditët në vijim mund të lejohet dërgimi ajror i ndihmës në Gazë – një mënyrë që organizatat humanitare më parë e kanë cilësuar si joefikase për shpërndarjen e ndihmave në këtë zonë.
“Lajmi se Izraeli do të lejojë vendet të shpërndajnë ndihma ajrore në Gazë ka ardhur shumë vonë – por do të bëjmë gjithçka që mundemi që ndihma të arrijë përmes kësaj rruge”, shkroi Starmer për gazetën The Mirror.
Ai gjithashtu deklaroi se Britania “po përshpejton urgjentisht përpjekjet” për të evakuuar fëmijët që kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm mjekësor drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Ndërkohë që mediat lokale raportuan se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania do të realizojnë shpërndarjen e fundit të ndihmave, një zyrtar i lartë jordanez tha për BBC-në se ushtria e tij ende nuk ka marrë leje nga Izraeli për këtë.
OKB-ja e përshkroi këtë veprim si “shpërqendrim nga mosveprimi” i qeverisë izraelite. Ky zhvillim vjen në një moment kur shqetësimi ndërkombëtar për kushtet humanitare në Gazë po rritet gjithnjë e më shumë. Të premten, Gjermania, Franca dhe Britania i bënë thirrje Izraelit që “menjëherë të heqë kufizimet për hyrjen e ndihmave humanitare” në këtë territor.
Në një deklaratë të përbashkët, ato kërkuan përfundimin e menjëhershëm të “katastrofës humanitare që po shohim në Gazë” dhe të luftës vetë, duke shtuar se Izraeli duhet të “përmbushë detyrimet e tij sipas së drejtës humanitare ndërkombëtare”.
“Mohimi i ndihmës humanitare elementare për popullsinë civile është i papranueshëm”, thuhet në deklaratë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres deklaroi se nuk mund të “shpjegojë nivelin e apatisë dhe mosveprimit që po shohim nga shumë njerëz në komunitetin ndërkombëtar – mungesën e dhembshurisë, mungesën e të vërtetës, mungesën e njerëzisë”.
Duke iu drejtuar asamblesë globale të Amnesty International, ai tha se mbi 1000 palestinezë janë vrarë që kur kanë tentuar të sigurojnë ushqim që nga 27 maji – dita kur Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, filloi shpërndarjen e ndihmave si një alternativë ndaj sistemit të OKB-së.
Një kontraktor amerikan i sigurisë që punoi për GHF në maj dhe qershor 2025, i tha të premten BBC-së se “pa asnjë dyshim… ishte dëshmitar i krimeve të luftës” gjatë atyre muajve.
Anthony Aguilar tha se kishte parë ushtrinë izraelite (IDF) dhe mercenarët amerikanë duke përdorur municion të luftës, artileri, predha mortaje dhe zjarr tankesh kundër civilëve në vendet ku shpërndahej ushqimi.
“Në të gjithë karrierën time nuk kam qenë kurrë dëshmitar i një brutaliteti të tillë dhe i përdorimit të forcës së pakontrolluar dhe të panevojshme kundër popullsisë civile derisa isha në Gazë nën duart e IDF-së dhe mercenarëve amerikanë”, tha ai.
Në përgjigjen e saj, GHF tha se akuzat – të bëra nga një “ish-kontraktor i pakënaqur i pushuar nga puna për sjellje të pahijshme një muaj më parë” – janë “kategorikisht të rreme”.
Ndërkohë, e ardhmja e negociatave për një armëpushim të ri dhe për një marrëveshje për lirimin e pengjeve mbetet e paqartë, pasi SHBA dhe Izraeli kanë tërhequr ekipet e tyre negociuese nga Katari.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Hamasi “në fakt nuk dëshiron të arrijë marrëveshje”.
“Mendoj se ata duan të vdesin”, tha ai.
Hamasi shprehu befasinë për deklaratat amerikane.
Një zyrtar i lartë i Hamasit tha për një korrespondent të BBC-së nga Gaza se ndërmjetësit i kishin informuar se negociatat nuk kishin dështuar dhe se pritej që delegacioni izraelit të kthehej në Doha javën e ardhshme.
Izraeli vendosi një bllokadë të plotë për dërgimin e ndihmave në fillim të marsit dhe dy javë më vonë rinisi ofensivën ushtarake kundër Hamasit, duke shkelur armëpushimin dy mujor. Ata deklaruan se synonin të ushtronin presion mbi grupin për të liruar pengjet izraelite të mbetura.
Edhe pse bllokada u zbut pjesërisht pas afro dy muajsh për shkak të paralajmërimeve të ekspertëve globalë për një uri të afërt, mungesa e ushqimit, barnave dhe karburantit është përkeqësuar.
Shumica e popullsisë së Gazës është zhvendosur disa herë, ndërsa vlerësohet se mbi 90% e shtëpive janë dëmtuar ose shkatërruar.