Një anije mallrash me gati 3000 makina ka marrë flakë pranë Holandës

Një anije mallrash me gati 3000 makina ka marrë flakë pranë Holandës

Anija e mallrave Fremantle Highway mori flakë të martën vonë në brigjet e Holandës, ndërsa transportonte gati 3,000 makina dhe një person humbi jetën nga zjarri.

Anija po lundronte nga Gjermania për në Egjipt dhe zjarri raportohet se ka rënë pranë një automjeti elektrik. Ekuipazhi u përpoq të shuante zjarrin, por pa rezultat. Disa persona u plagosën, disa me djegie dhe fraktura, ndërsa të tjerët kishin probleme me frymëmarrjen dhe një anëtar i ekuipazhit u vra. Ekipet e shpëtimit nga anija shpëtuan 23 persona.

Një zëdhënës i rojes bregdetare holandeze tha se zjarri filloi pranë një makine elektrike, por burimi i saktë nuk u konfirmua. Në bord kishte 2857 makina, 25 prej të cilave elektrike.

Kompania Mercedes-Benz konfirmoi se në këtë anije ndodheshin 350 automjete të saj.

Ndërkohë që zjarri po luftohet, anija e shpëtimit Hunter po e mban atë në vend dhe larg rrugëve të transportit të anijeve të tjera. Autoritetet po bëjnë një plan për të shuar zjarrin pa fundosur anijen e dëmtuar. Varkat e shpëtimit e spërkasin me ujë nga jashtë për ta ftohur.

Zjarrfikësit holandezë pohojnë se është e vështirë të shuhet zjarri për shkak të ngarkesës që anija mbante.

Femantle Highway është e regjistruar në Panama dhe operohet nga kompania japoneze e qiradhënies Shoei Kisen. Është ndërtuar në vitin 2013 dhe është projektuar për transportin e automjeteve dhe është i gjatë 200 metra.

Vitin e kaluar, anija Felicity Ace, e cila transportonte makina me vlerë 401 milionë dollarë, mori flakë në Oqeanin Atlantik. Anija dhe ngarkesa përfundimisht përfunduan në fund të oqeanit. Incidenti e detyroi Lamborghini të rifillonte prodhimin e Aventador për të kompensuar supermakinat e humbura.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova