Shkruan Lutfi Ballek
Në sheshin historik Sultanahmet, në zemër të Stambollit, Universiteti Ndërkombëtar Islam i Shkencës dhe Teknologjisë i Turqisë (Türkiye Uluslararası İslâm Bilim ve Teknoloji Üniversitesi), i themeluar në vitin 2015, zyrtarisht ka filluar fazën e parë të realizimit të tij. Me këtë është bërë një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit institucional të një universiteti që ka për ambicie të bashkojë shkencat islame, disiplinat shoqërore e humane, shkencat bazë dhe teknologjinë brenda një vizioni të vetëm civilizues.
Themelimi i këtij universiteti zhvillohet në një kontekst të ndërlikuar dhe sfidues të botës islame bashkëkohore. Stambolli, gjatë viteve të fundit, është bërë strehë për shumë dijetarë dhe akademikë nga vende të ndryshme të cilët, për shkak të shkatërrimeve të luftës, paqëndrueshmërisë politike dhe rrethanave të tjera të pafavorshme në vendet e tyre, kanë vazhduar veprimtarinë pikërisht në këtë qytet. Universiteti lind nga nevoja për t’i ofruar këtij potenciali të madh intelektual një kornizë institucionale në të cilën dituria, përvoja dhe kapaciteti shkencor do të zhvillohen në mënyrë sistematike. Iniciativës i jep rëndësi shtesë edhe fakti se shumë qendra tradicionale të dijes islame vitet e fundit janë shkatërruar ose janë dobësuar seriozisht.
Rektori i Universitetit dhe dijetari i shquar islam, prof. dr. Mehmet Görmez, theksoi se Universiteti Ndërkombëtar Islam i Shkencës dhe Teknologjisë i Turqisë do të ndërtohet si një institucion akademik që e lidh trashëgiminë autentike islame dhe civilizuese me çështjet e kuptimit, vlerave dhe përgjegjësisë së njeriut bashkëkohor. Një vizion i tillë mbështetet edhe në punën e tij shumëvjeçare akademike dhe në kuptimin e tij të filozofisë së shkencave islame dhe shoqërore, të cilat ai i ligjëron dhe zhvillon në Institutin për Mendim Islam në Ankara.
⸻
Deklarata e prof. dr. Mehmet Görmezit (përkthim):
“Universiteti Ndërkombëtar Islam i Shkencës dhe Teknologjisë i Turqisë, i themeluar në vitin 2015, së bashku me Fondacionin për Forcimin e Universitetit, sot ka hedhur hapin e parë në fazën e realizimit në sheshin historik të Sultanahmetit, në zemër të Stambollit. Para së gjithash, falënderoj Zotin e Madhëruar, i cili ma ka besuar këtë detyrë si amanet dhe na ka bërë shërbëtorë të rrugës së dijes dhe urtësisë. Falënderoj edhe Presidentin e Republikës, i cili më ka besuar këtë përgjegjësi të rëndë dhe të jashtëzakonshme.
Mbi kujtesën shekullore islame dhe civilizuese të Stambollit, do të përpiqemi të ndërtojmë Universitetin tonë si një institucion akademik që trashëgiminë tonë autentike civilizuese e lidh me horizontet e kuptimit, vlerave dhe përgjegjësisë së njeriut bashkëkohor. Ky institucion nuk do të kufizohet vetëm në arsimin e lartë teologjik, por do të jetë një model universitar që bashkon shkencat islame, shkencat humane, shkencat bazë dhe teknologjinë brenda të njëjtës vetëdije civilizuese.
Universiteti ynë do të jetë një universitet kërkimor i fuqishëm, i hapur për bashkëpunime shkencore dhe kërkimore ndërkombëtare, me studimet pasuniversitare në qendër të punës së tij. Qëllimi ynë është që, duke mbledhur studentë, akademikë dhe studiues të shquar nga i gjithë bota rreth një gjuhe të përbashkët civilizuese, të mundësojmë që dituria jo vetëm të prodhohet, por edhe të shndërrohet në vlerë të qëndrueshme dhe të mirë të përbashkët për njerëzimin.
Paraprakisht falënderoj të gjithë profesorët, miqtë dhe njerëzit e dijes nga Turqia, bota islame dhe nga të gjitha anët e gjeografisë sonë shpirtërore, të cilët do ta mbështesin këtë hap të madh shkencor. Qoftë për të mirë për popullin tonë, për vendin tonë dhe për traditën e lashtë të dijes në Stamboll. Lus që i Madhi Zot ta bëjë këtë institucion të qëndrueshëm në mirësi dhe ta bekojë përpjekjen dhe angazhimin tonë. Amin.”
Lutfi Ballek
Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.













