Nga WhatsApp-i te raketat hipersonike: Si tregoi lufta 12-ditore cenueshmëritë e Turqisë

Një raport i ri i përgatitur nga Akademia Kombëtare e Inteligjencës së Turqisë mbi luftën 12-ditore midis Izraelit dhe Iranit sugjeron se Ankaraja duhet të ndërmarrë hapa gjithëpërfshirës – nga forcimi i mbrojtjes ushtarake te ndërtimi i një arkitekture të re të sigurisë kombëtare – për t’iu përshtatur ndryshimeve të fundit në luftën bashkëkohore.

Raporti, i publikuar javën e kaluar, bën thirrje për reforma urgjente në sistemet e paralajmërimit të hershëm, ndërtimin e strehimoreve dhe masa të forta kundër aktiviteteve të mundshme spiunazhi të drejtuara ndaj sektorit të mbrojtjes dhe industrisë turke.

Megjithëse Turqia ka investuar ndjeshëm në industrinë e saj të mbrojtjes gjatë dy dekadave të fundit, raporti thekson se ende ka boshllëqe dhe cenueshmëri serioze.

Që nga viti 2016, Ankaraja është profilizuar si një fuqi në fushën e dronëve, duke prodhuar qindra mjete ajrore pa pilot të armatosura si Anka dhe TB2 Bayraktar, të cilët kanë ndryshuar rrjedhën e konflikteve në Ukrainë, Libi, Siri dhe Nagorno-Karabakh.

Ndërkohë që Turqia punon për zhvillimin e avionit luftarak të gjeneratës së pestë Kaan deri në vitin 2030 dhe për prodhimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore si Hisar, flota aktuale e avionëve luftarakë – e përbërë kryesisht nga F-16 – po plaket shpejt.

Raporti analizon epërsinë ajrore të Izraelit, duke përmendur se forcat izraelite arritën të dislokonin 300 mjete ajrore në një operacion të vetëm, përfshirë F-16, F-35, dronë të armatosur dhe avionë cisternë për furnizim me karburant në ajër. Operacioni përfshiu gjithashtu forca speciale në terren ose përdorimin e aktorëve lokalë për goditjen e objektivave të caktuara, si dhe shfrytëzimin e platformave si WhatsApp për të lokalizuar zyrtarë të lartë.

Raporti me titull “Lufta 12-ditore dhe mësimet për Turqinë” thekson rëndësinë e integrimit të sistemeve të pilotuara dhe atyre pa pilot, si dhe domosdoshmërinë e modernizimit të forcave ajrore turke. Ai gjithashtu nënvizon se paaftësia e Izraelit për të ndaluar plotësisht raketat hipersonike iraniane – pavarësisht ndihmës së aleatëve – tregon nevojën që Turqia të intensifikojë përpjekjet për zhvillimin e kapaciteteve të tilla.

Rekomandimet përfshijnë:

  • Prodhimin serik të sistemeve të avancuara ushtarake, përfshirë raketat balistike dhe hipersonike.
  • Forcimin e mbrojtjes ajrore me shtresa të shumëfishta, sidomos në zonat strategjike.
  • Vendosjen e një sistemi kombëtar të paralajmërimit të hershëm.
  • Ndërtimin e strehimoreve të pajisura (p.sh., stacionet e metrosë në qytetet e mëdha).
  • Masa për minimizimin e viktimave civile.

Një nga paralajmërimet kryesore lidhet me përdorimin e gjerë të aplikacioneve si WhatsApp, që mund të paraqesin rrezik sigurie për Turqinë, veçanërisht duke pasur parasysh lidhjet e disa kompanive globale të teknologjisë me Izraelin.

Raporti thekson edhe rëndësinë e aleancave ndërkombëtare, duke sugjeruar që Turqia të rinovojë lidhjet tradicionale të dëmtuara gjatë luftës në Siri dhe të zhvillojë partneritete të reja me shtete si Pakistani, Siria, Katari dhe Azerbajxhani.

Në përfundim, raporti paralajmëron se një konflikt i zgjatur Izrael–Iran mund të destabilizojë kufijtë lindorë të Turqisë, dhe Ankaraja duhet të ndërmarrë hapa vendimtarë për të shmangur përsëritjen e skenarëve negativë të përjetuar në Irak dhe Siri.

Kategoritë
BotaLajme