Nga përballja me yjet te trofeu i madh: Alioski rrëfen emocionet pasi fitoi Ligën e Kampionëve të Azisë

Pas triumfit historik në Ligën e Kampionëve të Azisë me Al Ahlin, Ezgjan Alioski bëhet futbollisti i parë shqiptar që arrin një arritje të tillë në kontinentin aziatik.  

Në një intervistë për Telegrafin, ai ndan emocionet e këtij suksesi, përballjet me yje botërorë dhe në fund mesazhin për të gjithë tifozët shqiptarë. 

Urime për fitoren në Ligën e Kampionëve të Azisë! Çfarë domethënie ka për ty kjo arritje dhe si e përjetove fitoren? 

Alioski: Ju faleminderit për urimet dhe për hapësirën që po më jepni. Sigurisht se po flasim për suksesin më të madh në karrierë, një trofe që më bën shumë krenar për mundin dhe punën që kam bërë gjithë këto vite. Jam shumë, shumë i lumtur për veten, për familjen dhe për gjithë ata që më kanë mbështetur.

Në gjysmëfinale u përballët me shumë yje, përfshirë Malcom. Si ishte të përballeshe me të? 

Alioski: Realisht nuk ishte hera e parë që ndeshem me një kundërshtar si ai, pasi kam luajtur në Angli, në Evropian dhe në ndeshje ndërkombëtare. Jam i adaptuar me këto përballje. Por ishte një ndeshje emocionuese, Malcom është futbollist i shkëlqyeshëm dhe jo i lehtë për ta markuar. Duke ditur se çfarë na jepte kjo ndeshje, isha i gatshëm të jap 200% nga vetja për të prekur finalen.

 Te Al Ahli luan përkrah emrave si Firmino, Mahrez, Toney dhe Demiral. Si është të jesh në një skuadër me ta? 

Alioski: Është kënaqësi të jem pjesë e një ekipi me yje të tillë, por edhe me shumë lojtarë të tjerë jashtëzakonisht cilësorë. Të luash në mesin e tyre padyshim të bën të ndjehesh më i fortë dhe cilësia jote del më lehtë në pah.

Na i përshkruaj emocionet si fitues i finales ndaj Kawasaki Frontale.Alioski: Wow. Nuk e di nëse ka fjalë për të përshkruar atë që kam përjetuar dhe që e ndjej! Sinqerisht e them, diçka fantastike, magjike, spektakolare! Sukses i jashtëzakonshëm, që për mua ka një shije edhe më të mirë duke ditur se kam lënë pas një periudhë jo edhe aq të lehtë. Por ja që durimi në fund shpërblehet. As që kisha mundur ta mendoj më mirë. Falënderimi i takon Zotit.

Çfarë mesazhi ke për tifozët shqiptarë që të ndjekin e të mbështesin? 

Alioski: I dua shumë të gjithë! Ashtu si ndjeheni ju krenarë me mua, edhe unë jam krenar me ju. Ky sukses shkon për të gjithë ju që më keni mbështetur. Mesazhi im është i thjeshtë: Besoni fuqishëm dhe punoni akoma më fortë, pa hequr dorë kurrë nga ëndrrat tuaja.

Kategoritë
LajmeSport