Komisioni Evropian ka caktuar datën 12 tetor 2025 si fillimin e fazës së parë të funksionimit të sistemit të ri për hyrje-dalje në BE, të njohur si EES.
EES është një sistem teknologjik i avancuar që do të regjistrojë në mënyrë digjitale hyrjet dhe daljet e shtetasve jo-BE që udhëtojnë në 29 vende evropiane, duke përfshirë ato të bashkëngjitura në Zonën Shengen, për qëndrime të shkurtra. Ai do të mbledhë të dhëna biometrike, si gishtërinjtë e dorës, fotografia e fytyrës dhe informacione të tjera udhëtimi, duke zëvendësuar gradualisht vulosjen e pasaportave.
Sistemi “ETIAS”
Për hyrjen në vendet e BE, shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës sipas këtij sistemi do të paguajnë 20 euro.
EES do të modernizojë dhe përmirësojë menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së. Ai do të sigurojë të dhëna të besueshme mbi kalimet kufitare, do të identifikojë sistematikisht personat që tejkalojnë kohën e qëndrimit të lejuar, si dhe rastet e vjedhjes së dokumenteve dhe të identitetit. Në këtë mënyrë, EES do të ndihmojë në parandalimin e migrimeve të paligjshme dhe në mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve evropianë.
Përveç kësaj, me përdorimin në rritje të kontrolleve automatike kufitare, udhëtimi do të bëhet më i thjeshtë dhe më i sigurt për të gjithë. Sistemi i ri përmbush standardet më të larta të mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë, duke garantuar që të dhënat personale të mbeten të sigurta.
Nga 12 tetori e në vazhdim, vendet anëtare do të fillojnë ta fusin EES-in gradualisht gjatë një periudhe gjashtëmujore. Policia kufitare do të regjistrojë me radhë të dhënat e shtetasve të vendeve të treta që kalojnë kufijtë. Në fund të kësaj periudhe, EES do të jetë i implementuar plotësisht në të gjitha pikat kufitare.
Qëllimi i këtij nisjeje të fazuar është t’u lejojë vendeve anëtare të përfitojnë gradualisht nga avantazhet e sistemit të ri, duke u dhënë kohë autoriteteve kufitare, industrisë së transportit dhe udhëtarëve të prekur të përshtaten me procedurat e reja.
EES është pjesë e pakos evropiane për kufij të zgjuar, e cila synon përmirësimin e menaxhimit të kufijve të jashtëm të BE-së përmes teknologjisë më të përparuar dhe zgjidhjeve inovative. Paketa përfshin EES-in, Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimeve (ETIAS) dhe përdorimin e zgjeruar e të harmonizuar të sistemeve automatike të kontrollit kufitar (ABC) nga vendet anëtare. Së bashku, këto sisteme do të mundësojnë një përvojë më efikase, më të sigurt dhe më praktike për të gjithë udhëtarët që hyjnë dhe dalin nga BE.