Netanyahu urdhëroi sulme intensive në Gaza, akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pasi akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit, i urdhëroi forcat e armatosura të ndërmarrin sulme intensive në Rripin e Gazës.

“Pas konsultimeve të sigurisë, kryeministri Netanyahu i ka urdhëruar menjëherë forcat ushtarake të realizojnë sulme të fuqishme në Rripin e Gazës,” thuhet në deklaratën e Zyrës së tij.

Izraeli akuzoi Hamasin se ka “inskenuar” kthimin e trupave dhe “rivarrosjen e mbetjeve,” ndërsa të dyja palët po përshkallëzojnë akuzat reciproke për shkelje të armëpushimit në Gaza.

“Hamas po gënjen. Ata e dinë se ku ndodhen pengjet e mbetura. Gërmimet e inskenuara nuk janë vetëm keqdashëse – këto shkelje rrezikojnë armëpushimin. Pamjet nga dronët tregojnë Hamasin duke zhvendosur dhe rivarrosur mbetjet trupore, për të inskenuar më pas një ‘zbulim’ të rremë përpara Kryqit të Kuq,” njoftoi Ministria e Jashtme izraelite.

Më herët, Netanyahu kishte deklaruar se mbetjet njerëzore që Hamasi kishte dorëzuar gjatë natës i përkisnin një pengu, trupin e të cilit ushtria izraelite e kishte gjetur tashmë më parë.

Netanyahu thirri komandantët ushtarakë për të vendosur mbi “hapat e ardhshëm të Izraelit”, pas së cilës dha urdhrin për sulme.

Sipas marrëveshjes midis Hamasit dhe Izraelit, të arritur më 10 tetor, grupi palestinez duhej të dorëzonte të gjithë pengjet e gjallë si dhe trupat e të vdekurve e të vrarëve të rrëmbyer më 7 tetor 2023.

Sipas pretendimeve të Izraelit, Hamasi po vonon dorëzimin e mbetjeve të pengjeve izraelite, ndërsa grupi palestinez pohon se disa trupa nuk mund të nxirren për shkak të rrënojave në Gaza. Të gjithë pengjet e gjallë janë liruar sipas marrëveshjes.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, të dyja palët janë akuzuar disa herë për shkelje të tij, por sulmet që Netanyahu ka urdhëruar tani ka gjasa të konsiderohen si kolapsi përfundimtar i marrëveshjes.

Kategoritë
BotaLajme