Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, e ka tradhtuar Izraelin dhe ka “braktisur” komunitetin hebre të vendit të tij.
Përmes platformës X, Netanyahu tha se historia do ta kujtojë Albanesen si një politikan të dobët që e tradhtoi Izraelin.
Deklarata e tij erdhi pasi ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Gideon Sa’ar, njoftoi heqjen e vizave të qëndrimit për përfaqësuesit diplomatikë të Australisë pranë Autoritetit Palestinez.
Australia gjithashtu së fundmi ka ndaluar hyrjen për ish-ministren e drejtësisë Ayelet Shaked dhe aktivistin pro-izraelit e influencuesin Hillel Fuld.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Australisë, Penny Wong, më herët deklaroi se tërheqja e vizave ishte një “reagim i pajustifikuar” nga Izraeli.
“Në një kohë kur dialogu dhe diplomacia janë më të nevojshme se kurrë, qeveria e Netanyahut po e izolon Izraelin dhe po minon përpjekjet ndërkombëtare drejt paqes dhe një zgjidhjeje me dy shtete”, thuhet në deklaratën e saj.