– Zyrtarët deklaruan se Netanyahu e sheh dëshirën e Al-Shara-s për të vendosur marrëdhënie të ngushta me administratën amerikane si një “mundësi diplomatike”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë bisedës me ambasadorin e SHBA-së në Ankara dhe përfaqësuesin e posaçëm për Sirinë, Tom Barrack, ka thënë se dëshiron të fillojë negociatat me administratën e re siriane dhe se ka kërkuar që SHBA-ja të ndërmjetësojë në këtë proces, transmeton Anadolu.
Sipas dy zyrtarëve të lartë izraelitë të paidentifikuar që folën për faqen e lajmeve “Axios”, qeveria e Netanyahut fillimisht ka shkëmbyer mesazhe me administratën e re të udhëhequr nga presidenti sirian Ahmed al-Shara përmes kanaleve indirekte dhe më pas ka zhvilluar takime sekrete në vende të treta.
Zyrtarët deklaruan se Netanyahu e sheh dëshirën e Al-Shara-s për të vendosur marrëdhënie të ngushta me administratën amerikane si një “mundësi diplomatike”.
Ndër të tjera pasi kanë pretenduar se Netanyahu është i gatshëm të negociojë një marrëveshje të re sigurie me Sirinë dhe të përparojë drejt një marrëveshjeje të plotë paqeje, zyrtarët kanë theksuar se nëse kjo do të ndodhte, ky do të jetë kontakti i parë zyrtar midis dy vendeve që nga viti 2011.
Zyrtarët pretendojnë se Netanyahu në takimin e tij me përfaqësuesin e posaçëm amerikan për Sirinë, Barrack, javën e kaluar i ka përcjellë se dëshiron të fillojë negociatat me qeverinë e Damaskut nën ndërmjetësimin e Washingtonit.
Vihet në dukje se Barrack ka deklaruar se Al-Shara është i hapur për bisedime me Izraelin ndërsa zyrtarët kanë pretenduar se palës amerikane i është përcjellë se Izraeli do të vazhdojë praninë e tij ushtarake në Siri derisa të nënshkruhet një marrëveshje e re.
Sipas zyrtarëve, qëllimi i Netanyahut është të punojë për një marrëveshje të re sigurie duke përditësuar marrëveshjen e vitit 1974 me disa ndryshime dhe përfundimisht arritjen e një marrëveshje paqeje midis dy vendeve.