Mediat izraelite raportojnë se “Wing of Zion”, versioni izraelit i “Air Force One”, u nis nga Aeroporti Ben-Gurion sot, ndërsa Izraeli nisi një sulm ndaj objekteve bërthamore iraniane si pjesë e Operacionit “Rising Lion”.
Aeroplani, i cili i shërben kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe presidentit Isaac Herzog si mjeti i tyre zyrtar i transportit gjatë vizitave ndërkombëtare, u nis për në Athinë mes frikës së një sulmi hakmarrës iranian.
Bëhet e ditur se ai kishte fluturuar edhe më parë nga baza ajrore Nevatim, në Negevin verior, gjatë sulmit të Iranit ndaj Izraelit në prill 2024
Menjëherë pasi aeroplani u nis për në Greqi, zëdhënësi i IDF-së, gjenerali Effie Defrin tha në një konferencë për shtyp se Irani kishte lëshuar mbi 100 dronë drejt Izraelit.
Ndryshe, Izraeli së fundmi ka njoftuar mbylljen e ambasadave në të gjithë botën dhe po u bën thirrje qytetarëve të tij të jenë të kujdesshëm dhe të mos shfaqin simbole izraelite ose hebraike në vende publike.
Ambasadat njoftuan se nuk do të ofrojnë shërbime konsullore pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit dhe u bënë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me forcat lokale të sigurisë në rast kërcënimesh.