Nëna palestineze kërkon djalin e saj i cili u zhduk pasi mori ndihmë nga një zyrtar amerikan në Gaza

Vogëlushi palestinez, të cilin zyrtari amerikan e quajti Amir, shkoi në pikën e shpërndarjes së ndihmës për të gjetur ushqim dhe mbeti në mes të zjarrit të ushtarëve izraelitë

Nëna e Abd al-Rahim al-Jaraba, i njohur si Amir, i cili u pa duke mbajtur çanta të vogla dhe duke puthur dorën e një zyrtari amerikan në një të ashtuquajtur pikë shpërndarjeje të ndihmës humanitare në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Rafah, tha se dëshiron ta gjejë djalin e saj gjallë ose të vdekur, raporton Anadolu.

Ngjarja ndodhi më 28 korrik në zonën Tel al-Sultan në perëndim të Rafahut.

Djali i vogël, të cilin zyrtari amerikan e quajti Amir, shkoi në pikën e shpërndarjes së ndihmës për të gjetur ushqim dhe mbeti në mes të zjarrit të ushtarëve izraelitë.

Që atëherë nuk është dëgjuar më për Amirin.

– “Amiri kishte ecur 12 kilometra, por nuk mori asgjë tjetër përveç copave të bukës”

Ish-punonjësi i Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), një organizatë e ashtuquajtur ndihme e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja, dhe nënkoloneli në pension i ushtrisë amerikane, Anthony Aguilar, më vonë i tregoi një medie historinë e djalit nga Gaza që e quajti Amir.

“Në pikën e shpërndarjes së ndihmave numër 2, ky djalë m’u afrua. Emri i tij ishte Amir. Ai më puthi dorën dhe më falënderoi. Ai ishte zbathur dhe aq i dobët sa rrobat gati i binin nga trupi. Ai kishte gjysmë qeseje me oriz dhe thjerrëza në krahë, të cilat i kishte mbledhur nga toka. Amiri mori sendet e tij dhe iu bashkua grupit. Pastaj ushtarët izraelitë filluan të qëllonin në turmën e grave dhe fëmijëve. Njerëzit filluan të binin në tokë një nga një. Amiri ishte një prej tyre. Amiri kishte ecur 12 kilometra, por nuk mori asgjë tjetër përveç copave të ushqimit. Ai na falënderoi për këtë dhe vdiq”, tha ai.

– Nëna palestineze kërkon kudo djalin e saj, të vdekur apo të gjallë

Siham al-Jaraba (32), nëna e djalit nga Gaza, të cilin zyrtari amerikan e quajti Amir, tha se që atëherë e ka kërkuar kudo djalin e saj, duke i fshehur rrobat me shpresën se ai një ditë do të shfaqet.

Nëna Siham tha se e ka kërkuar kudo djalin e saj, përfshirë spitalet, morgjet dhe pikat e shpërndarjes së ndihmave, duke shpresuar të gjejë një gjurmë të tij. Ajo udhëton në pikat e shpërndarjes së ndihmave për të ushqyer fëmijët e tjerë. Duke mbajtur në dorë foton e Amirit, ajo tha se po kërkon këdo që e di se kush e ka parë djalin e saj.

Siham, e cila e përshkruan Amirin si një fëmijë që gjen gëzim edhe në gjërat më të vogla, i bën thirrje Kryqit të Kuq për ndihmë në gjetjen e djalit të saj, të vdekur apo të gjallë.

– “Vetëm të dimë se është gjallë mjafton”

Nëna palestineze, e cila tha se edhe burri i saj u vra në sulmin izraelit dhe se donte që ai të kujdesej për fëmijët (Ahmed, Abdurrahim, Raid, Xhenet, Alma dhe Umajma) para se të vdiste, e përshkroi dëshpërimin e saj.

“Dua që djali im të kthehet. Nëse e kanë ata, dua ta di. Vetëm të thonë ‘është gjallë’ mjafton. Ndoshta atëherë zjarri brenda nesh do të ftohet pak. Ndoshta atëherë xhaxhai i tij, tezja e tij dhe gjyshja e tij do të flenë pak dhe do të hanë si qenie njerëzore. Nuk kemi ngrënë e pirë që kur u zhduk Abdurrahimi (Amir)”, u shpreh ajo.

Kategoritë
BotaLajme