Nëna nga Gaza detyrohet të shesë rrobat e vajzës së saj që u vra nga Izraeli, për të ushqyer fëmijët e tjerë

“Këto janë rrobat e vajzës sime. Ato ende kanë erën e saj. Nuk i lava që të mos u ikë era. Vajza ime dhe rrobat e saj janë shumë të çmuara për mua. Ajo ishte fëmija im i parë”, tha nëna Safa

Nëna e 15-vjeçares Gazel al-Faramawi e cila u vra nga ushtarët izraelitë në një pikë shpërndarjeje ndihmash të kontrolluar nga Izraeli dhe SHBA-ja në Gaza, po vuan dhimbjen për shkak se është e detyruar të shesë rrobat e mbetura të vajzës së saj për të ushqyer fëmijët e tjerë.

Që nga 27 maji, palestinezët janë shënjestruar sistematikisht në pikat e shpërndarjes së ndihmave të ngritura në Gaza nga Fondacioni Humanitar i Ndihmës në Gaza i kontrolluar nga Izraeli dhe SHBA-ja, nën maskën e ndihmës humanitare.

Gazel është viktimë e një sulmi të tillë rreth një muaj e gjysmë më parë, kur ajo dhe nëna e saj shkuan në rajonin Al-Alam, në lindje të Rafahut për të marrë ndihma.

– Pas orësh kërkimi, ajo e gjeti vajzën e saj të mbështjellë me një qefin

Safa al-Faramawi, nëna e të ndjerës, tha për Anadolu se u sulmuan nga ushtarët izraelitë disa herë gjatë rrugës për në Al-Alam dhe pas breshërive të plumbave humbi vajzën e saj.

Marrjen e lajmit për vdekjen e vajzës së saj pas disa orësh kërkimi Safa el-Feramavi e përshkroi si më tej:

“Ishte rreth orës 9:00 të mëngjesit kur ndodhi sulmi. E kërkova deri në orën 14:00. Pastaj pashë dikë që e njihnim. E pyeta nëse e kishte parë Gazelin dhe mora përgjigjen se nuk e kishte parë. Pastaj më pyeti se çfarë kishte veshur. Kur i përshkrova rrobat, ajo tha: ‘Zoti e mëshiroftë.’ Kur e dëgjova këtë, fillova të bërtisja. Më tha se Gazeli ishte plagosur në shpatull dhe ishte transferuar në ndërtesën e Kryqit të Kuq”.

“Vrapova nga kryqëzimi Al-Alam drejt ndërtesës së Kryqit të Kuq në Deir al-Balah. Atje, një infermiere u përpoq të më qetësonte, duke thënë se ‘Vajza është plagosur në shpatull, ishte në një gjendje pak kritike dhe e dërguam në spitalin Nasser (në jug të Khan Younis)’. Pyeta një të afërm që ishte me ne në pikën e shpërndarjes. Më tha “Gazeli u martirizua. Duart e mia ishin të mbuluara me gjakun e saj, tani sapo i lava”.

Nëna e pikëlluar shprehu tronditjen që përjetoi përballë kësaj ngjarjeje dhe tha se vrapoi për minuta të tëra duke bërtitur nëpër rrugë.

– E detyruar të shesë rrobat që i kishte kujtim të mbetur nga vajza e saj

Nëna Safa, e cila aktualisht jeton në një tendë në zonën Al-Mawasi të Khan Younisit tha se ishte e shqetësuar për gjashtë fëmijët e saj të mbetur pas humbjes së Gazelit, të cilën e përshkroi si “dashuria e saj e parë, shoqja e saj dhe krahu i saj i djathtë”.

Duke i treguar rrobat e mbetura të vajzës së saj gazetarit të AA-së, Safa tha: “Këto janë rrobat e vajzës sime. Ato ende kanë erën e saj. Nuk i lava që të mos i ikë era. Vajza ime dhe rrobat e saj janë shumë të çmuara për mua. Ajo ishte fëmija im i parë. Ajo ishte një pjesë e zemrës sime”.

“Do të doja të kishim vdekur dhe ajo të kishte jetuar. Doja t’i ruaja këto rroba, por u detyrova t’i shisja. Ka edhe disa sende të tjera. Nëse ndihma nuk vjen, do të më duhet t’i shes edhe ato”, thotë Safa.

– Një vajzë i vritet, një tjetër i plagoset teksa shkonte për të marrë ndihma

Nëna Safa tha se pas vrasjes së Gazelit, ajo dhe vajza e saj 13-vjeçare Cena, filluan të shkonin në pikat e ndihmës, ku edhe ajo u sulmua në rajonin Shakush dhe copëzat e shrapnelit e goditën në të gjithë trupin.

Duke theksuar dështimin e të ashtuquajturave pika shpërndarjeje ndihmash, nëna e pikëlluar tha: “Ky është një mekanizëm shumë i pasuksesshëm për shpërndarjen e ndihmave. Që kur filluan këto shpërndarje, ka patur vdekje dhe masakra. Shkova me njërën nga vajzat e mia e vranë, shkova me tjetrën e plagosën edhe atë. Edhe unë u plagosa në këmbë”.

Nëna Safa e përshkroi mjerimin, poshtërimin dhe degradimin që përjetuan si “gra dhe njerëz” në pikat e shpërndarjes së ndihmës, duke thënë “Kur ka një sulm, ne, burra dhe gra, përkulemi në tokë. Ne qëndrojmë ashtu, të mjerë dhe të poshtëruar. UNRWA dhe organizatat e tjera të ndihmës e bënin shpërndarjen e ndihmës në mënyrë të përshtatshme me dinjitet njerëzor. Kur ato shpërndanin nidhma, ne nuk mbeteshim të uritur dhe as nuk poshtëroheshim kështu”, tha ajo.

Kategoritë
BotaLajme