Një rast tejet shqetësues që përfshin grabitje të armatosur dhe kërcënim për rrëmbim të një fëmije është regjistruar në Prishtinë, duke tronditur opinionin publik. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e datës 8 korrik në lagjen Dardania, në Fushë Kosovës, ku një grua dhe vajza e saj 2-vjeçare janë përballur me një situatë të tmerrshme në mes të ditës.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se M.I., rreth 29-vjeçare, ka raportuar se rreth orës 10:30 të datës 8 korrik 2025, derisa po lëvizte me vajzën e saj rreth 2-vjeçare në lagjen Dardania në Prishtinë, është ndalur nga një veturë ngjyrë hiri, me targë të vendosur vetëm nr.1.
Sipas deklaratës së saj, në veturë ndodheshin dy persona, shoferi, rreth 50 vjeç, i cili ka nxjerrë një armë dhe ia ka drejtuar asaj si dhe pasagjeri, rreth 20 vjeç, i cili ka vendosur maskë në kokë dhe i është afruar nga mbrapa.
Të dy të dyshuarit i kanë thënë: “Na i jep të gjitha, përndryshe e marrim vajzën.”
E frikësuar për jetën e fëmijës, viktima ka dorëzuar: Telefonin e saj personal, një kartelë bankare, dhe një shumë të vogël parash – rreth 6 euro.
Pas grabitjes, të dy personat janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Rasti është cilësuar “Grabitje” nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe hetimet janë marrë nga Njësia për Hetime të Përgjithshme, të cilët janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.
Policia po punon intensivisht për sigurimin e kamerave të sigurisë dhe fton qytetarët që mund të kenë informacione rreth veturës së përshkruar të lajmërojnë organet kompetente.