Nëna e “lordit të luftës” rus që u ngrit kundër Putinit zbuloi fjalët e tij të fundit: “Nuk më dëgjoi”

“Lordi i luftës” rus dhe biznesmeni Jevgenij Prigozhin dukej se ishte “i dënuar” menjëherë pas përfundimit të kryengritjes së dështuar, dhe në ditët para rrëzimit të avionit të tij privat i kishte thënë nënës se priste vdekjen.

Prigozhin, themeluesi i grupit famëkeq mercenar Wagner, vdiq kur avioni i tij u rrëzua në gusht 2023, vetëm dy muaj pasi mercenarët e tij morën përkohësisht kontrollin e qytetit jugor Rostov mbi Don dhe u nisën në një “marshim drejt Moskës”, në një kryengritje të shkurtër kundër lidershipit ushtarak rus.

“Kur e pashë për herë të fundit, dukej sikur nuk kishte shpëtim,” kujtoi nëna e tij 85-vjeçare, Violetta Prigozhina, në një intervistë për median ruse Fontanka, duke folur për takimin e fundit me djalin e saj, shtatë ditë para tragjedisë, rrethanat e së cilës mbeten ende të paqarta. E pyetur nëse ai e parandiente vdekjen, u përgjigj shkurt: “Sigurisht.”

Ajo është e para e afërme që flet publikisht për vdekjen e themeluesit të Wagner-it, duke theksuar se autoritetet ende nuk i kanë shpjeguar saktësisht çfarë ka ndodhur. Pranoi gjithashtu se kishte tentuar ta bindte të mos ngrihej kundër Putinit, duke e paralajmëruar të mos sfidonte autoritetin e tij.

“Do të të mbështesin vetëm në internet”

Shërbimet perëndimore të inteligjencës besojnë se Prigozhin vdiq në një shpërthim brenda avionit, i organizuar me urdhër të Putinit si hakmarrje për kryengritjen.

Nëna e tij, e cila drejton një galeri arti me ekspozita prorusë, tregoi se kishte tentuar ta ndalonte nga marshimi në Moskë, duke e paralajmëruar se po e mbivlerësonte nivelin e mbështetjes publike:
“Kur u pamë para marshimit, i thashë: ‘Zhënja, njerëzit do të të mbështesin vetëm në internet. Askush nuk do të dalë me ty. Njerëzit nuk janë më ashtu, askush nuk del më në shesh.’ Ai më tha: ‘Jo, do të më mbështesin.’”

Kryengritja e tij, e nisur me disa qindra luftëtarë besnikë, ishte kulmimi i muajve të përplasjeve me Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe lidershipin ushtarak, të cilët i akuzonte për korrupsion dhe paaftësi.

Në atë kohë, Wagner luante rol kyç në luftën kundër Ukrainës dhe shpesh përdorej si forca sulmuese në frontin lindor.

Edhe pse nuk e mbështeti asnjë figurë e rëndësishme politike, sondazhet tregonin se retorika e tij kundër elitave kishte jehonë të gjerë dhe i sillte mbështetje të konsiderueshme nga qytetarët e thjeshtë rusë.

Banorët e Rostovit mbi Don e pritën me entuziazëm kur Wagner mori nën kontroll pozicionet ushtarake në qytet. Por vetëm 193 kilometra para Moskës, Prigozhin ndaloi marshimin pas negociatave me zyrtarë të lartë rusë dhe ndërmjetësimit të presidentit bjellorus Alexander Lukashenko.

Gjatë avancimit, mercenarët e Wagner-it rrëzuan një helikopter Ka-52 dhe shkatërruan një avion ushtarak Il-18.

“Në fund, thjesht u kthye mbrapsht – kjo ishte e gjitha,” tha Prigozhina, duke shtuar se i biri nuk kishte qëllim të rrëzonte Putinin, por të arrinte tek lidershipi ushtarak. “Më tha se nuk mund të qëllonte mbi ushtarë të rinj gjatë marshimit.”

“Shpërbërja e perandorisë dhe lufta për trashëgiminë”

Pas vdekjes së tij, autoritetet ruse morën shpejt nën kontroll perandorinë e madhe të biznesit që Prigozhin kishte ngritur – nga rrjetet e propagandës në internet dhe bizneset minerare në Afrikë, te kompanitë e catering-ut me kontrata ekskluzive për Kremlinin, gjë që i solli nofkën “kuzhinieri i Putinit”.

Mercenarët e tij, të njohur për metodat brutale dhe të akuzuar për krime masive në Afrikë, u përfshinë në strukturat shtetërore ushtarake dhe vazhduan të veprojnë nën emrin “Korpusi Afrikan”.

Djali i tij 27-vjeçar Pavel, i cili kishte luftuar në Siri në radhët e Wagner-it, mbeti jashtë garës për pushtet që shpërtheu pas vdekjes së babait.

Nëna e hequr nga lista e sanksioneve

Në shtator 2024, Violetta Prigozhina fitoi një betejë ligjore në Gjykatën e Bashkimit Evropian, e cila urdhëroi heqjen e saj nga lista e sanksioneve dhe detyroi Këshillin e BE-së t’i paguante shpenzimet gjyqësore.

Ajo dhe nipi i saj kishin qenë për vite nën sanksione për lidhjet e ngushta me bizneset e Jevgenij Prigozhinit. Megjithatë, në intervistën për Fontanka u ankua se së fundmi iu refuzua viza për Hamburg, ku donte të vizitonte një klinikë, edhe pse ishte hequr nga lista e sanksioneve.

“Tani po përgatis një numër të madh ekspozitash,” shtoi ajo, duke theksuar se një nga veprat kryesore aktualisht në galerinë e saj në Shën Petersburg është portreti i të birit i realizuar në Ukrainë.

 

Kategoritë
BotaLajme