Sipas raporteve të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 500 punonjës humanitarë kanë humbur jetën në Gaza që nga tetori 2023
Ministria palestineze e Punëve të Jashtme njoftoi se të paktën 500 punonjës të ndihmës humanitare kanë humbur jetën në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme lëshoi një deklaratë me shkrim me rastin e Ditës Botërore Humanitare.
Në deklaratë vihet në dukje se kjo ditë përkujton ata që kanë humbur jetën gjatë përmbushjes së detyrave të tyre humanitare dhe morale për të shpëtuar civilët gjatë luftës së vazhdueshme të shkatërrimit dhe urisë në të gjithë botën, veçanërisht në territoret e pushtuara palestineze dhe në Rripin e Gazës.
Sipas raporteve të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 500 punonjës humanitarë kanë humbur jetën në Gaza që nga tetori 2023.
Bëhet e ditur se këto humbje përbëjnë një krim tjetër që i shtohet krimeve të luftës dhe shkeljet e rënda të ligjit ndërkombëtar që ka kryer Izraeli.
Pavarësisht se sa të forta janë deklaratat dhe thirrjet e bëra nga komuniteti ndërkombëtar, ato nuk do të shpëtojnë nga përgjegjësia e tyre ligjore dhe morale për të ndaluar urinë dhe gjenocidin që shënjestron popullin palestinez, thuhet në deklaratë. Gjithashtu vihet në dukje se komuniteti ndërkombëtar duhet të detyrojë Izraelin të ndërpresë menjëherë sulmet e tij, të zbatojë ligjin ndërkombëtar dhe të japë llogari për krimet që ka kryer.
Ndër të tjera thuhet se mosndëshkimi i vazhdueshëm i Izraelit ushqen këto krime të përsëritura.
Ministria bëri thirrje për “veprim urgjent ndërkombëtar për të mbrojtur civilët dhe punonjësit humanitarë dhe për të ndaluar krimet e kryera kundër tyre”.
Më tej njoftohet se qëndrimi neglizhent i komunitetit ndërkombëtar në përmbushjen e përgjegjësive të saj kërcënon sistemin ligjor ndërkombëtar, duke zëvendësuar legjitimitetin ndërkombëtar me ligjin e xhunglës dhe duke e reduktuar mbrojtjen e punonjësve humanitarë me shprehje të sloganeve.
U vu re se ofrimi i mbrojtjes ndërkombëtare për punonjësit humanitarë në Rripin e Gazës përfaqëson një provë të vërtetë të seriozitetit të vendeve dhe komunitetit ndërkombëtar në mbrojtjen e civilëve dhe kundërshtimin e politikës së urisë.
Në deklaratën e ministrisë nënvizohet se punonjësit humanitarë nuk duhet të jenë në shënjestër; dhe se shpëtimi i jetëve nuk duhet të vijë me koston e humbjes së jetës.
Të paktën 62.122 palestinezë janë vrarë dhe 156.758 të tjerë janë plagosur në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.