Gjysmëhëna e Kuqe Turke tha se 165 kamionë që transportojnë afërsisht 3.000 tonë ushqime, të destinuara për përpjekjet e ndihmës për urinë në Rripin e Gazës, filluan të hyjnë në rajon përmes kalimit kufitar Rafah
Gjysmëhëna e Kuqe Turke njoftoi se 165 kamionë që transportojnë afërsisht 3.000 tonë ushqime, të destinuara për përpjekjet e ndihmës për urinë në Rripin e Gazës, filluan të hyjnë në rajon përmes kalimit kufitar Rafah, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate, Gjysmëhëna e Kuqe Turke e cila punon për të lehtësuar dhimbjen humanitare në Gaza pavarësisht të gjitha sfidave, filloi kalimin e kamionëve pasi forcat izraelite lejuan përkohësisht kalimin e ndihmës humanitare.
Ndihma, e përbërë nga afërsisht 3.000 tonë ushqim, është e barabartë me nevojat ushqimore të një muaji për 50.000 njerëz. Duke punuar në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe Egjiptiane, ekipet e Gjysmëhënës së Kuqe Turke vazhdojnë të punojnë për të siguruar që ndihma të arrijë tek njerëzit e Gazës sa më shpejt të jetë e mundur.
Gjysmëhëna e Kuqe Turke, e cila ka ofruar vakte të ngrohta ditore përmes kuzhinave të supës në Gaza që nga dita e parë e konfliktit, po punon gjithashtu në koordinim me Gjysmëhënën e Kuqe Jordaneze për të lehtësuar hyrjen e ndihmës në rajon përmes Jordanisë.
– “Punonjësit e ndihmave nuk janë shënjestra”
Presidentja e Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Fatma Meriç Yılmaz, komentet e së cilës u përfshinë në deklaratë, dënoi sulmin e kryer nga forcat izraelite dje në selinë e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në Khan Younis, në jug të Gazës.
Ajo theksoi nevojën për armëpushim të përhershëm në Gaza. ”Është burim i një trishtimi të thellë për ne që punonjësit e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, të cilët po shpërndajnë këto ndihma në Gaza duke rrezikuar jetën e tyre, po bëhen shënjestër, pavarësisht përpjekjeve të mëdha që po bëhen për të ofruar ndihmë. Fatkeqësisht, një punonjës ndihme humbi jetën dhe dy u plagosën rëndë. Ne e dënojmë me fjalët më të ashpra të mundshme këtë sulm ndaj organizatës sonë simotër, Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze”, tha Yılmaz duke shtuar se:
“Që nga 6 tetori e deri më tani numri i punonjësve humanitarë të vrarë në Gaza ka arritur në 480. Punonjësit e ndihmave nuk janë shënjestra dhe këto sulme janë shkelje e qartë jo vetëm e ligjit ndërkombëtar, por edhe e njerëzimit. Si Gjysmëhënë e Kuqe Turke, ne përsërisim thirrjen tonë se në Gaza duhet të arrihet armëpushim i përhershëm ndërsa civilët dhe punonjësit e ndihmave duhet të mbrohen”.