Në Kroaci u prezantuan zyrtarisht dronët turq Bayraktar TB2; nga shtatori do të jenë operativë

Kroacia gjatë vitit të kaluar nënshkroi marrëveshje për blerjen e të paktën gjashtë dronëve TB2, testimi i të cilëve filloi dje në hapësirën ajrore kroate.

Blerja e gjashtë dronëve Bayraktar TB2 ka vlerë 67 milionë euro, duke përfshirë pajisjen, trajnimin dhe mirëmbajtjen, në përbërje të Forcave Ajrore të Kroacisë (HRZ).

“Ditët në vijim do të vazhdojnë testimet ditë e natë anembanë Kroacisë me të gjithë pajisjen dhe me të gjashtë dronët e armatosur modernë Bayraktar TB2, të cilët i sjellin ushtrisë kroate aftësi të reja në veprimet luftarake, por edhe në mbikëqyrjen e kufijve, zbulimin dhe mbrojtjen kundër zjarreve. Këto sisteme të avancuara ushtarake përdoren nga 37 vende të botës, përfshirë disa anëtare të NATO-s,” tha Anušić.

Testimet në Kroaci po kryhen nga teknikët e kompanisë turke Baykar së bashku me operatorët e HRZ-së, të cilët kanë kaluar trajnim në Turqi për drejtimin e dronëve.

Pritet që të gjashtë dronët të jenë operativë deri në fund të shtatorit, duke i dhënë HRZ-së aftësi për mbikëqyrje dhe kontroll të kufijve, si dhe një rritje të ndjeshme të kapaciteteve ushtarake.

Ky lloj droni përdoret tashmë nga 37 shtete, përfshirë disa vende të NATO-s; në rajon, Bayraktarët zotërohen nga forcat e armatosura të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa pritet blerja e dy mjeteve për Forcat e Armatosura të Bosnjë-Hercegovinës.

Kategoritë
LajmeRajoni