Banorët e qytetit më të madh të Afrikës së Jugut, Johannesburg, u mahnitën të hënën nga reshjet e para të borës në më shumë se dhjetë vjet, dhe disa fëmijë panë borë për herë të parë.
Ndërsa pjesë të Afrikës së Jugut kanë reshje të rregullta bore në hemisferën jugore gjatë muajve të dimrit nga qershori në gusht, Johannesburgu pa borë për herë të fundit në gusht 2012.
Në rrjetet sociale, banorët e Johanesburgut e përshkruan borën si “magji të pastër” dhe një “fillim të mrekullueshëm të javës”.
Profesorja e gjeografisë fizike në Universitetin e Witwatersrand Jennifer Fitchett i tha gazetës Times të Afrikës së Jugut se bora nuk kishte gjasa të zgjaste dhe ishte shkaktuar nga rritja e lagështirës, temperaturat e ulëta dhe erërat e ftohta, shkruan The Guardian.
“Kjo ndodh një herë në dhjetë vjet. Ne nuk jemi një zonë që bie shumë borë dhe kjo është pjesërisht sepse kemi kushte të thata në dimër,” tha ajo.
Hera e fundit që ra borë ishte në vitin 2012, dhe më parë në 2007.
Bora bie në Johanesburg mesatarisht një herë në pesë vjet, dhe reshjet më të mëdha të borës që shihen të hënën ndodhin çdo 10 deri në 20 vjet, tha profesori i klimatologjisë në Universitetin e Witwatersrand, Francois Engelbrecht për faqen e lajmeve të Daily Maverick.
Meteorologu i Shërbimit Meteorologjik të Afrikës së Jugut Wayne Venter tha për Daily Maverick se kushtet nuk ishin ekstreme dhe nuk mund të thuhet se ishin për shkak të ndryshimeve klimatike.

