Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, është vrarë gjatë sulmeve izraelite ndaj Iranit në orët e hershme të mëngjesit, ka raportuar televizioni shtetëror iranian.
Sulmet izraelite goditën disa qytete në Iran, përfshirë edhe kryeqytetin Teheran.
“Gjeneral-major Mohammad Bagheri, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, ka rënë dëshmor”, thuhet shkurt në njoftim.
Vdekja e tij përbën një tjetër humbje të rëndësishme në mesin e udhëheqjes më të lartë iraniane, pasi më herët ishte raportuar se ishte vrarë edhe komandanti kryesor i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Hossein Salami.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se sulmi fillestar ishte i suksesshëm, por se izraelitët do të duhet të kalojnë më shumë kohë në strehimore.
Shumë zyrtarë iranianë, përfshirë liderin suprem, ajatollah Ali Khamenei, janë deklaruar pas sulmeve të Izraelit mbi objektet bërthamore të Iranit dhe kanë paralajmëruar hakmarrje.