Në 24 orët e fundit, 14 palestinezë, përfshirë një fëmijë, vdiqën nga uria në Gaza

– Në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës vdiqën nga uria 14 palestinezë të tjerë, përfshirë një fëmijë, duke e çuar numrin e të vdekurve në 147.

Në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës vdiqën nga uria 14 palestinezë të tjerë, përfshirë një fëmijë, duke e çuar numrin e të vdekurve në 147, transmeton Anadolu.

Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, Munir al-Bursh në një postim në llogarinë e tij në X dha informata në lidhje me vdekjet nga uria në Gaza.

“Uria vazhdon të marrë jetë njerëzish në Gaza”, tha Al-Bursh duke shtuar se 14 persona të tjerë, përfshirë një fëmijë, vdiqën nga uria në 24 orët e fundit. Ai theksoi se numri i njerëzve që kanë vdekur nga uria në Gaza është rritur në 147, prej të cilëve 88 janë fëmijë.

Duke iu referuar palestinezëve që vdiqën nga uria në Gaza, Al-Bursh tha: “Këto shifra nuk janë vetëm statistika; ato janë thirrje për ndihmë për të gjithë ata që kanë ndërgjegje”.

“Shpëtoni jetët e mbetura në Gaza përpara se kjo bllokadë të shndërrohet në një gjenocid të plotë”, tha Al-Bursh.

Duke theksuar bllokimin e ndihmës nga Izraeli, ai tha: “Ndërsa uria po vret fëmijët e Gazës para syve të botës, ushqimi për fëmijë është kilometra larg. Sa do të zgjasë kjo heshtje?”.

– Gaza po “vdes nga uria”

Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe nën një rrethim të rreptë që kufizon ndihmën humanitare, po përjeton një katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe furnizimesh higjienike.

Vdekjet për shkak të urisë, veçanërisht të fëmijëve, janë në rritje në Rripin e Gazës. Deri më sot, 134 palestinezë, përfshirë 88 fëmijë, kanë vdekur nga uria në Gaza.

Qarqet lokale dhe ndërkombëtare theksojnë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”.

Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Rripit të Gazës duke bombarduar edhe infrastrukturën civile, shpeshherë shënjestron palestinezët që ka zhvendosur me urdhra të dëbimi në zonat ku ata strehohen.

Numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e dëbimit të Izraelit në Gazan e cila ka një popullsi prej afërsisht 2.3 milionë banorësh, raportohet të ketë arritur në 2 milionë dhe se shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.

Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët luftojnë për të mbijetuar në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku mungojnë furnizimet higjienike ndërsa lavamanët janë të pamjaftueshëm dhe sëmundjet infektive po përhapen.

Ndërkohë, ushtria izraelite kryen sulme të përditshme duke shënjestruar tendat dhe strehimoret civile të të zhvendosurve. Që nga 7 tetori 2023, të paktën 59.821 palestinezë janë vrarë dhe 144.851 janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës.

Kategoritë
BotaLajme