Në 15 vjetorin e pavarësisë ndizen qirinj në kujtim të 1.133 fëmijëve të vrarë gjatë luftës

Në aktivitetin i cili filloi me lëshimin e disa pëllumbave për të simbolizuar lirinë, para shkallëve të Teatrit Kombëtar me qirinj u formua numri 1.113

Në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, para Teatrit Kombëtar të Kosovës 1.133 fëmijë nga shkolla të ndryshme të Kosovës kanë bërë ndezjen e 1.133 qirinjve për të kujtuar aq fëmijë të vrarë gjatë luftës, raporton Anadolu.

Në aktivitetin i cili filloi me lëshimin e disa pëllumbave për të simbolizuar lirinë, para shkallëve të Teatrit Kombëtar me qirinj u formua numri 1.113.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kujtimi për fëmijët e vrarë në luftën e Kosovës do të rrojë përherë në zemrat e gjithë qytetarëve të Kosovës.

Osmani tha se Kosova u ka borxh familjarëve dhe prindërve të fëmijë të vrarë, por, ajo tha se buzëqeshja e fëmijëve të pranishëm në manifestim do t’i bëjë që familjarët dhe prindërit e fëmijëve të vrarë të kuptojnë se “gjaku i tyre nuk ka shkuar huq”.

“Gjithë ju që jeni sot këtu do të jeni ata që do ta çoni Kosovën drejt sukseseve të reja”, u tha Osmani fëmijëve të pranishëm.

Kryeministri Kurti në fjalën e tij drejtuar fëmijëve të cilët mbanin në duar nga një qiri, tha se pavarësisht humbjeve, dhembjeve të popullit, “prapë ne jemi bashkë, ne fitojmë, ka shpresë për Kosovën dhe shpresa janë fëmijët e Kosovës dhe gjithë populli i saj”.

“Ju po e mbani nga një qiri në duart tuaja në këtë buzëmbrëmje dhe gjithsej kemi 1.133 qirinj sepse secili prej tyre qirinjve tregon për një fëmijë që është vrarë gjatë luftës e nuk është në mesin tonë, andaj ne ata i kujtojmë dhe ne ata kurrë nuk do t’i harrojmë”, theksoi Kurti.

Në këtë aktivitet përpos presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, morën pjesë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, ministra të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi