Egjiptianët, të tmerruar nga skenat e urisë në Gazë, nisën një iniciativë simbolike të quajtur “Nga deti në det – shishe shprese për Gazën”.
Në kuadër të kësaj iniciative, egjiptianët mbushin shishe plastike një ose dy litërshe me drithëra, oriz, thjerrëza e ushqime të thata të tjera, para se t’i hedhin në Detin Mesdhe në shpresën se ato do të arrijnë në Gaza.
Pjesëmarrësit thanë se kjo u lind si masë dëshpëruese për të thyer bllokadën paralizuese izraelite, në të cilën kamionët me ndihma emergjente janë ndaluar në pikëkalimet kufitare, ndërsa qindra mijëra njerëz vuajnë nga uria.
Ata po ashtu bënë thirrje që njerëzit në vendet që ndodhen buzë Mesdheut – Libinë, Tunis, Algjerinë e Marokun – të bashkohen në këtë nismë.
Sipas mediave lokale arabe, ideja është frymëzuar nga metoda e “mesazhit në shishe” dhe prej atëherë ka marrë shumë përkrahje, veçanërisht në rrjetet sociale.
Thuhet se idenë e propozoi një akademik dhe inxhinier egjiptian me bazë në Japoni, i cili sugjeroi se dërgesa e ushqimit përmes detit është metoda më praktike, duke pasur parasysh bllokadën aktuale të Gazës.
Në një postim në Facebook ai shpjegoi se një kanistër plastik prej 25 litrash, i mbyllur ngushtë, mund të mbajë rreth gjashtë deri tetë kilogramë ushqim, duke lënë afërsisht tetë litra hapësirë ajri për t’i siguruar flotacion.
Ai shtoi se këto kontejnerë duhen lëshuar të paktën katër kilometra larg bregut, me kënd 60° drejt veri-lindjes, për të anashkaluar rrjedhat kundërta.
“Rrjedhat sipërfaqësore në Mesdheun Lindor lëvizin nga perëndimi në lindje me shpejtësi deri në 0.8 km/h, që do të thotë se kontejnerët mund të arrijnë bregun e Gazës brenda 72–96 orësh, nëse dërgohen nga zona si Damieta ose lindje e Port Saidit,” shkruhej në postim.
Shumë përdorues interneti panë postimin dhe shprehën shpresë, përpara se të shpërndanin video të njerëzve që e pranonin këtë propozim.
Disa e quajtën “shprehje të sinqertë” përballë “paaftësisë së qeverive”.
Të tjerë thanë se këto iniciativa simbolike duhen shndërruar në një presion efektiv popullor, duke mbështetur organizata humanitare me reputacion dhe duke kërkuar veprime ndërkombëtare urgjente për të prishur bllokadën e hapur kalimet dhe mundësuar furnizimin me ndihma jetike.
Ngjarjet më të fundit vijnë pasi mbi 100 organizata humanitare kanë shprehur shqetësim serioz për “uri masive” në Gaza.
Mendohet se më shumë se 950 kamionë ndihmash janë bllokuar në kufirin Egjipt–Gazë, ndërsa OKB-ja këtë javë njoftoi se forcat izraelite kanë vrarë mbi 1.000 palestinezë që tentuan të arrinin ushqim që kur Fondacioni Humanitar për Gazën, me mbështetje të SHBA-ve dhe Izraelit, mori nën kontroll operacionet në maj.
Organizata si Save the Children, Oxfam e Mjekët pa Kufij thanë se edhe kolegët e tyre në Rripin e Gazës “po vdesin” nga uria.
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e cilësoi nënushqyerjen në Gaza “të shkaktuar me qëllim”, ndërsa Izraeli vijon sulmet e tij të dhunshme në Rrip.
Lufta genocidiale izraelite në Gaza ka vrarë të paktën 59.219 palestinezë që nga tetori 2023, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës. Mendohet se numri real i të vrarëve është shumë më i lartë, me mijëra viktima të papërmendura të mbërthyera nën gërmadhat e ndërtesave të shkatërruara.