Shpëtimtarët në Teksas vijojnë kërkimet për personat e zhdukur pas përmbytjeve të papritura në pjesën qendrore të shtetit. Numri i të vdekurve u rrit në 69, sipas të dhënave të fundit, përfshirë edhe 21 fëmijë.
Fatkeqësisht, pritet që kjo shifër të rritet, pasi autoritetet lokale nuk e dinë saktësisht sa njerëz vizituan këtë zonë gjatë fundjavës.
Sipas BBC-së, 48 orë pas përmbytjeve – shpresa po zbehet ngadalë dhe duket se bëhet fjalë më shumë për “faza rikuperimi” sesa për “mision shpëtimi”.
Kërkimi vazhdon
“Shprehim ngushëllimet dhe lutjet tona më të sinqerta për çdo familje të prekur nga kjo tragjedi dhe vijojmë të punojmë 24 orë në ditë për të ribashkuar këto familje,” tha shërifi i qarkut Kerr, Larry Leitha.
Zyrtarët thanë se më shumë se 850 vetë u shpëtuan pas stuhisë së papritur në Texas Hill Country. Ende nuk dihet saktësisht sa persona konsiderohen të zhdukur.
Kërkimi vazhdon për vajzat dhe këshilltarin e kampit Mystic, prej të cilëve të paktën katër janë gjetur të vdekur.
Kongresmeni Chip Roy e quajti këtë përmbytje një ngjarje “që ndodh një herë në shekull”.
Përmbytjet e papritura ndodhën të premten pas reshjeve të dendura përgjatë lumit Guadalupe, kur uji rrëzoi shtëpi dhe automjete.
Reagoi edhe Trump
Donald Trump, presidenti amerikan, në një postim në rrjetin social Truth Social tha se familjet e të vdekurve dhe të zhdukurve “po përballen me një tragjedi të paimagjinueshme”.
Ai shtoi se administrata e tij vazhdon të punojë ngushtë me udhëheqësit shtetërorë dhe lokalë.