Një fotografi nga Azerbajxhani ka bërë xhiron e botës. Në të shihet një vajzë me hixhab, e ulur para derës së xhamtë të shkollës duke qarë, pas vendimit për kufizimin e mbajtjes së hixhabit në shkolla.
Sipas publikimeve ku është shpërndarë fotografia, bëhet fjalë për një nxënëse të cilës nuk i është lejuar hyrja në shkollë për shkak të hixhabit.
Pamje të ngjashme kanë nisur të qarkullojnë që kur Qeveria e Azerbajxhanit, më 21 shtator, miratoi vendimin nr. 309, me të cilin ndalohet mbajtja e veshjeve shtesë që cenojnë uniformitetin e uniformës shkollore dhe që nuk janë në përputhje me parimin e arsimit sekular.
Hixhabi nuk përmendet shprehimisht në vendim, por pas miratimit të tij, disa shkolla kanë nisur ta interpretojnë atë si veshje që nuk përputhet me rregullat.
Në rrjetet sociale janë publikuar edhe pamje të vajzave që qëndrojnë ulur në shkallët e shkollave, si dhe të fëmijëve që qajnë pas dritareve. Në disa shkolla, sipas portalit gjeorgjian JAMnews, nxënësit kanë protestuar duke kërkuar që shoqeve të tyre me hixhab t’u lejohet kthimi në mësim.
Pakënaqësia është përhapur edhe në rrugët e Bakusë. Ministria e Punëve të Brendshme e Azerbajxhanit ka njoftuar se, për shkak të përplasjeve në shkolla dhe pengimit të trafikut, janë arrestuar 37 persona, ndaj të cilëve është nisur procedurë penale për prishje të rendit publik.
