Në pesë ditët e fundit pranë brigjeve të Norvegjisë po zhvillohet një nga ndjekjet më të mëdha të NATO-s për nëndetëset ruse që nga Lufta e Ftohtë. Gjithçka filloi kur nëndetëset e Flotës Veriore iu afruan aeroplanmbajtësit amerikan USS Gerald R. Ford, i cili bashkë me anijet përcjellëse hyri në Detin e Veriut.
Alarm i kuq
Mediat norvegjeze raportojnë se nga bazat ruse në veri kanë “humbur” mes 4 dhe 8 nëndetëse – përfshirë më modernet Yasen-M, si dhe të klasës Victor III, Akula dhe Oscar II. Për këtë arsye NATO ka nisur një operacion masiv në të cilin marrin pjesë të paktën 10 avionë P-3 Orion dhe P-8 Poseidon, helikopterë kundër-nëndetës dhe fregata të specializuara për gjueti nëndetësesh.
Si gjurmohen nëndetëset?
Mbikëqyrja zhvillohet me shtresa: satelitët monitorojnë bazat, sonarët nënujore në veri të Norvegjisë regjistrojnë lëvizjet, ndërsa helikopterët dhe Poseidonët lëshojnë boja sonarike ose përdorin sensorë për të zbuluar fushën elektromagnetike. Linjën e fundit të mbrojtjes e përbëjnë nëndetëset sulmuese amerikane dhe aleate që vetë ndjekin fshehurazi nëndetëset bërthamore ruse.
Pse është kjo e rëndësishme?
Nëndetëset e gjeneratës së re ruse janë më të heshtura dhe më të vështira për t’u zbuluar sesa ato sovjetike, ndërsa Oqeani Arktik dhe reflektimi i zërit nga akulli e bëjnë edhe më të komplikuar detektimin. Nëndetëset strategjike të klasës Borei dhe ato sulmuese Yasen-M mund të mbajnë raketa lundrimi dhe armë bërthamore, gjë që e mban NATO-n në gjendje gatishmërie.
Konteksti gjeopolitik
– Me hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO, Deti Baltik është bërë më i rrezikshëm për Moskën, ndaj Flota Veriore është mjeti kryesor për demonstrimin e forcës.
– Deti i Veriut dhe korridori GIUK (Grenlanda–Islanda–Mbretëria e Bashkuar) mbeten linja kyçe e mbrojtjes së NATO-s.
– SHBA aktualisht ka 130 avionë P-8 Poseidon dhe mbi 250 helikopterë MH-60R Seahawk, ndërsa të gjitha vendet e tjera të Aleancës së bashku nuk arrijnë as për së afërmi këtë numër kapacitetesh.
Analistët theksojnë se i gjithë operacioni gjithnjë e më shumë i ngjan filmit klasik “Gjuetia për Tetorin e Kuq” – vetëm se këtë herë po zhvillohet në realitet.