Murati – Supremes: Mjaftonte të lexonit aktgjykimin e Kushtetueses, që të mos bëheshit horë

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se interpretimi i gjykatësve të Gjykatës Supreme se nxjerrja e akteve nënligjore nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe ministrit është e kundërligjshme është në kundërshtim me vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka thënë se aktgjykimi i Kushtetueses thotë se deputeti llogaritet që fillon të ushtrojë funksionon pas përfundimit të konstituimit të Kuvendit, e meqë kjo nuk ka ndodhur as deputeti nuk mund të nisë funksionin.

“Ky interpretim i këtyre tre gjykatësve është në kundërshtim flagrant me atë çfarë ka thënë vetë Gjykata Kushtetuese disa javë më herët. Në vend se të lexonin statuset në Facebook të deputetëve të opozitës, do të mjaftonte që tre gjykatësit e Supremes të lexonin Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, që të mos bëheshin horë kaq publikisht me vendime absurde si ky për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për Arkat Digjitale Fiskale”, ka shkruar Murati në Facebook.

Tri ditë më parë Gjykata Supreme ka konstatuar se deputetët nuk mund të ushtrojnë edhe funksione në Qeveri.

Bazuar në këtë gjykim e ka shfuqizuar udhëzimin e ri administrativ për arkat fiskale, meqë ai është nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave.

E pas vendimit të Supremes, ministrat e Qeverisë në detyrë, që janë edhe deputetë, kanë thënë se do t’i ushtrojnë njëkohshëm të dyja funksionet, pavarësisht vendimit.

Gjykata nuk ka vlerësuar pretendimet dhe argumentet e tjera me të cilat është kontestuar përmbajtja e udhëzimit administrativ për arkat fiskale dhe është kufizuar vetëm te mungesa e autorizimit ligjor dhe mungesa e kompetencës funksionale për nxjerrjen dhe publikimin e aktit nënligjor normativ që, sipas gjykatës, përbëjnë shkelje të dispozitave ligjore dhe kushtetuese.

Udhëzimi është nënshkruar nga ministri në detyrë Murati, më 15 prill, rreth 20 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor me të cilin nis mandati i deputetit.

Pas aktgjykimit të Supremes, Qeveria ka paralajmëruar se do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese.

Aktualisht 17 anëtarë të Qeverisë, përfshirë kryeministrin Albin Kurtin, kanë siguruar mandate në legjislaturën e nëntë. Për shkak të betimit si deputetë, ata njoftuan për dorëheqje nga postet në Ekzekutiv, në ditën kur është hapur seanca konstituive e Kuvendit.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi