Murat Yakin e fton për te Zvicra, Xherdan Shaqiri i refuzon menjëherë

SAINT PETERSBURG, RUSSIA - JULY 02: Captain Xherdan Shaqiri of Switzerland in action during the UEFA Euro 2020 Championship Quarter-final match between Switzerland and Spain at Saint Petersburg Stadium on July 02, 2021 in Saint Petersburg, Russia. (Photo by Gonzalo Arroyo - UEFA/UEFA via Getty Images)
Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka lënë të hapur derën për një rikthim të mundshëm të Xherdan Shaqirit në Kombëtare, por përgjigja nga superylli i Baselit nuk ka vonuar: për momentin, Zvicra mbetet jashtë planeve të tij 

Në një konferencë për shtyp të enjten, Yakin pranoi se kishte tentuar të kontaktonte Shaqirin të mërkurën, një ditë para shpalljes së listës për ndeshjet miqësore të qershorit ndaj Meksikës dhe SHBA-ve. Ai nuk ia doli ta zinte në telefon, por i la një mesazh zanor për ta përgëzuar për sezonin dhe për t’i shprehur dëshirën për një rikthim në ekipin kombëtar.

“Dera është e hapur. Por gjithçka varet nga ai. Duhet të jetë i gatshëm,” tha Yakin, duke lënë topin në fushën e Shaqirit për eliminatoret e Botërorit që nisin në shtator me ndeshjen ndaj Kosovës në Basel.

Shaqiri, nga ana tjetër, ka qenë i qartë. Në konferencën e Baselit para përballjes së fundjavës kundër Luzernit, ai u shpreh se është plotësisht i përqendruar te klubi. “Për momentin, dera për Zvicrën është e mbyllur,” deklaroi ai, duke theksuar se angazhimi i tij është te Baseli, ku ka shkëlqyer si lider në fushë dhe golashënues kryesor.

Ylli 33-vjeçar po kalon një sezon fantastik në Superligën zvicerane, ku ka realizuar 18 gola dhe ka dhënë 20 asistime. Ai jo vetëm që udhëhoqi Baselin drejt titullit të parë pas vitit 2017, por synon të kurorëzojë sezonin edhe me trofeun e Kupës së Zvicrës, ku më 1 qershor përballen me Bielin në finale.

Pranë Shaqirit në konferencë ishin edhe figura kyçe të klubit: pronari David Degen dhe drejtori sportiv Daniel Stucki. Të dy e përgëzuan për sezonin dhe pranuan se rikthimi i tij në Kombëtare do të ishte i mirëpritur – por jo diçka që presin të ndodhë shpejt.

“Ka qenë sezon i shkëlqyer për të, pa lëndime. Dhe kjo lidhet edhe me faktin se nuk ka qenë në angazhim me përfaqësuesen,” tha Stucki. Degen shtoi: “Do të ishim të lumtur nëse rikthehet, por nuk e shohim këtë të ndodhë në një të ardhme të afërt.”

Shaqiri u tërhoq nga Kombëtarja pas Euro 2024 në Gjermani, një turne ku nuk pati shumë minuta, por edhe në pak kohë në fushë, arriti të bëjë dallimin. Ai mbetet lojtari me më shumë gola në turne të mëdha për Zvicrën – ka shënuar në tri Kampionate Botërore dhe tri Evropiane radhazi.

Me 32 gola në 125 ndeshje për “helvetikët”, ai është lojtari i dytë me më shumë paraqitje në histori të përfaqësueses zvicerane, pas kapitenit Granit Xhaka që ka 135.Për momentin, Shaqiri po shkëlqen me Baselin – dhe Kombëtarja e Zvicrës duhet të presë.

Kategoritë
LajmeSport