Munira Subashiç: “Fëmijët tanë u vranë sepse mbanin emra dhe mbiemra të ndryshëm; Nerkom sot do të ishte bir i mirë dhe baba i dashur.”


Kryetarja e Shoqatës “Nëna të Srebrenicës”, Munira Subašić, në komemoracionin në Qendrën Memoriale të Potoçarit deklaroi se në gjenocid humbi 22 anëtarë të familjes së saj, përfshirë djalin dhe bashkëshortin.

“Sot i flas në emër timin dhe në emër të mijëra nënave që humbën të afërmit e tyre. Dua të falënderoj të gjitha vendet që votuan për Rezolutën. Ata që nuk votuan, le të mbeten në errësirë; ne, nëna, kurrë nuk do t’i falim, por as nuk do ta harrojmë. Për tridhjetë vjet kemi dëgjuar gënjeshtra, kemi parë urrejtje, kemi dëgjuar lavdërimin e kriminelëve të luftës. Bota dhe Europa tolerojnë këtë.”

Ajo theksoi se njerëzit në Srebrenicë u vranë për shkak të emrave dhe mbiemrave të tyre—pra, sepse ishin myslimanë.

“Pas gjenocidit mbetën 5.500 fëmijë të pambrojtur. Shumë prej këtyre fëmijëve nuk kanë asnjë fotografi të babait të tyre, ndaj na kërkojnë ne, gjyshet dhe nënat, t’u themi nëse ngjajnë apo jo me të. Fëmijët tanë u vranë nën flamurin e OKB-së, para syve të botës së tërë.”

Ajo shtoi se ia dolën t’i rrisin këta fëmijë pa urrejtje; sot janë mjekë, inxhinierë dhe flasin disa gjuhë të huaja.

“Nëse Nerkom do të ishte gjallë, do të ishte i suksesshëm, baba i mirë, bir i mirë, bashkëshort i mirë. Ata nuk vranë vetëm fëmijët tanë, por na morën dhe nipërit dhe mbesat. Ju lutem, na ndihmoni të luftojmë urrejtjen, padrejtësinë, përdhunimin dhe dëbimin. Askush nuk ka të drejtë të vrasë fëmijën e dikujt tjetër, askush nuk ka të drejtë të përdhunojë vajzën e dikujt tjetër. Ndërsa unë qëndroj këtu, shumë nëna në Ukrainë dhe Palestinë po përjetojnë atë që ne përjetuam në vitin 1995.”

Subašić theksoi se ekzistojnë dënime për krime lufte që nuk u dhanë “pa qëllim” dhe bëri thirrje Evropës të zgjohet, duke paralajmëruar se në vend të drejtësisë po zgjohet fashizmi.

Kategoritë
LajmeRajoni