Ekipet e shpëtimit në Venezuelë po garojnë me kohën për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat pas tërmetit, para se të përfundojë e ashtuquajtura “periudha e artë” për shpëtimin e njerëzve të bllokuar nën rrënoja, pas së cilës shanset për mbijetesë bien ndjeshëm.
Një nga të shpëtuarat është edhe Graciela Mora, e cila ndodhej nën rrënoja në La Guaira, një nga zonat më të goditura.
Mora për Associated Press tregoi se e mbante për dore shoqen e saj derisa prisnin ekipet e shpëtimit, në mënyrë që të mos vdiste e vetme.
Ajo u shpëtua me lëndime, por shoqja e saj, e cila në ato momente ishte pranë saj, humbi jetën.
Sipas zyrtarëve, të paktën 235 persona kanë humbur jetën, ndërsa 4.300 të tjerë janë plagosur. Shumë persona ende konsiderohen të zhdukur ose të bllokuar nën rrënoja.
Në një intervistë për televizionin shtetëror venezuelas VTV, Juan Jose Ramirez, nënkryetar sektorial për punë publike dhe shërbime, deklaroi se në operacionet e shpëtimit po përdoren makineri të ndryshme, përfshirë pajisje për thyerjen e kontrolluar të betonit, me shpresën për të gjetur dhe shpëtuar edhe të mbijetuar të tjerë.


















