Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka njoftuar se ish-deputeti Gramos Agusholli, është liruar nga autoritetet serbe, pasi ishte ndaluar në pikën kufitare në Merdar.
MPJD-ja ka thënë se ai ka vazhduar rrugën e tij drejt destinacionit për në Slloveni.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se ish-deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Gramos Agusholli, i cili ishte ndaluar sot në pikën kufitare në Merdarë nga autoritetet serbe, është liruar dhe ka vazhduar rrugën e tij drejt destinacionit në Slloveni”, thuhet në njoftimin e Ministrisë në Facebook.
Ministria ka shtuar se do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje secilën situatë që cenon të drejtat e qytetarëve, derisa i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë nfaj Serbisë “për ndalimin e praktikave të tilla represive”.
“MPJD do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje çdo situatë që cenon të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë ndaj Serbisë për ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.